Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka folur nga ura e Mifolit për situatën e krijuar nga prurjet e larta të lumit Vjosë, ndërsa theksoi se monitorimi ka vijuar gjatë gjithë ditës në të gjithë basenin.

“Kemi ndjekur të gjitha prurjet e Vjosës, nga Përmeti e deri në Memaliaj, ku niveli i ujit ka arritur deri në 6.5 metra. Situata është drejt stabilizimit, por nuk është zgjidhur plotësisht, pasi reshjet vijojnë ende në Gjirokastër dhe Tepelenë,” u shpreh ministri.

Sipas Vengut, pritet një ndërhyrje e thelluar në argjinaturë, me synim forcimin e saj dhe përmirësimin e mbrojtjes së zonave të rrezikuara. Ai bëri të ditur se forcat e armatosura janë dislokuar në fshatrat me risk, ndërsa qendra lëvizëse e operacioneve do të qëndrojë në Mifol për sa kohë të jetë e nevojshme.

“Projeksioni ka qenë për një front të tretë prurjesh dhe nuk na ka ikur rreziku. Nëse duam një zgjidhje afatgjatë për Vjosën, duhet të pranojmë që është një lumë i egër. Kemi plane dhe projekte që parashikojnë rehabilitimin e këmbëve të urave. Do të ketë investime afatmesme dhe afatgjata,” deklaroi ai.

Ministri shtoi se sa herë është ndërhyrë në argjinaturë dhe në pastrimet e saj, situata është përmirësuar ndjeshëm, ndaj këto ndërhyrje do të vijojnë. Po ashtu, do të investohet edhe në kanalet kulluese, për të krijuar kushte optimale të kalimit të prurjeve.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Përmbytje në Delvinë e Finiq, evakuohen 6 familje! Izolohen 10 fshatra në Mirditë! Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati