Ministri Vengu takon studentët e masterit në AFA: T'i kushtojmë më shumë rëndësi sigurisë kombëtare

Ministri Vengu takon studentët e masterit në AFA: T'i kushtojmë më shumë rëndësi sigurisë kombëtare

Takimi i ministrit Pirro Vengu me studentët e AFA

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me studentët e masterit në Akademinë e Forcave të Armatosura (AFA), nga ku u shpreh se duhet t'i kushtohet më shumë rëndësi sigurisë kombëtare.

Ministri Vengu pa nga afër infrastrukturën moderne dhe të avancuar për zhvillimin e mësimit teorik dhe praktik si dhe bisedoi me pedagogët dhe studentët e tre programeve master që AFA ofron.

Ai përgëzoi studentët që zgjodhën dhe besuan te Akademia e Forcave të Armatosura dhe ofroi mbështetje për ta dhe stafin pedagogjik. Vengu zhvilloi një bashkëbisedim me studentët e programit Master i Shkencave në "Siguri dhe Politikë Ndërkombëtare në fushën e Mbrojtjes".

'Në fjalën e tij, ministri Vengu theksoi nevojën për një vëmendje më të madhe të shoqërisë sonë në përgjithësi ndaj kërcënimeve të sigurisë edhe në vende në dukje të largëta, siç janë aktualisht Ukraina apo Lindja e Mesme, efekti i të cilave mund të arrijë deri në Shqipëri. Gjithashtu, zoti Vengu përmendi shembuj konkretë të kërcënimeve të aktorëve të huaj mbi infrastrukturën kritike si në Shqipëri, por edhe së fundmi në Kosovë, e cila pas sulmit terrorist në kanalin e Iber - Lepencit më 29 nëntor, u mbështet nga ana energjetike për plot 48 orë nga Shqipëria falë interkonjeksionit mes dy vendeve', thuhet në njoftimin e zyrës për shtyp të ministrisë. 

Më tej, ministri përmendi edhe Industrinë Ushtarake të vendit tonë, shkatërrimin e së cilës e konsideroi si një gabim shumë të madh. Ai e cilësoi industrinë ushtarake jo si një industri vetëm të Forcave të Armatosura, por si një industri mbështetëse për gjithë ekonominë e vendit, për të cilën tha se me ndryshimet e fundit ligjore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta ringritur atë industri.

Në përfundim, të pranishmit shprehën dëshirën dhe ftuan ministrin e Mbrojtjes për të mbajtur një orë leksion për tema që lidhen me Sigurinë dhe Mbrojtjen.

Për vitin akademik 2024 - 2025, Akademia e Forcave të Armatosura ofron tre programe të avancuara të ciklit të dytë të studimeve që mbulojnë disa nga fushat më të rëndësishme të mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale, duke kontribuar në zhvillimin e profesionistëve të kualifikuar për t’u përballur me sfidat e sigurisë globale. Këto programe ofrojnë mundësi të shkëlqyera për studentët që kërkojnë të avancojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në këto fusha kritike.

Studentët e programeve të studimit të ciklit të dytë për vitin akademik 2024 - 2025, vijnë si ushtarakë aktivë nga Forcat e Armatosura, punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, institucioneve të tjera të sigurisë në vend dhe nga jeta civile.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sot samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, në fokus intensifikimi i partneritetit dhe rrugëtimi europian

Sot samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, në fokus intensifikimi i partneritetit dhe rrugëtimi europian