TIRANE- Teza e provimit të Letërsisë, duket se këtë vit është kthyer në një thikë me dy tehe. Zëvendësministri i Arsimit Halit Shamata, i cili ka biseduar dje me 90 vlerësuesit e Tiranës, u ka sugjeruar atyre që të marrin në konsideratë çdo përgjigje me logjikë të dhënë nga maturantët, pavarësisht se mund të mos jetë përfshirë në çelësin e përgjigjeve që vetë MASH ka publikuar për këtë test. Thuajse të njëjtën gjë u ka thënë edhe zëvendësministri tjetër, Ardian Tana, që gjatë ditës së djeshme, ka udhëtuar dhe është takuar me mësuesit e letërsisë në Korçë. Por vetë mësuesit, pikërisht ata që do të vlerësojnë testin, janë shprehur të pakënaqur dhe në dilemë me këtë udhëzim të fundit. Sipas tyre, kjo mund të sjellë një inflacion në vlerësim, pasi do të ndikojnë në rritjen e subjektivizmit të vlerësuesve dhe tashmë mund të merret si e saktë çdo përgjigje. “Unë mendoj se tashmë jemi para një rreziku akoma më të madh; nga subjektivizmi në teste në subjektivizëm në vlerësim. Drejtuesit e arsimit po përpiqen të qetësojnë maturantët duke u premtuar se do të jenë tolerant në vlerësime, çka do të thotë se tani edhe vlerësimi i testeve do të jetë një kaos i vërtetë, pasi nuk do të mbështetet mbi standarde vlerësimi shkencore e didaktike, por me pak fjalë si t’ua marrë mendja mësuesve. Dhe kjo gjë mua nuk më pëlqen hiç fare”, - na thotë njëra prej mësuesve, që këshillat e djeshme e drejtuesve të MASH i kanë lënë një shije të hidhur. “Ne, - thotë një mësues tjetër letërsie, - jemi mjaft të shqetësuar për mënyrën se si do t’i korrigjojnë testet, kur lëshohen udhëzime pas udhëzimesh, por gjithçka me gojë dhe asgjë e dokumentuar me shkrim. Kush më garanton mua së nëse vlerësoj një përgjigje që nuk është në çelës, do të ma quajnë korrekte?”. Ndërkohë që ata na shpjegojnë se gjatë takimit me titullarët e ministrisë së Arsimit u kanë “kërkuar llogari” se përse në test është përfshirë një pjesë që nuk është dhënë në asnjë nga tekstet alternative, por kanë marrë si përgjigje se ata i referohen programit të miratuar nga Ministria dhe jo se çfarë kanë tekstet, dhe madje i kanë akuzuar mësuesit se nuk arrijnë të shkëputen dot nga e vjetra. “Atëherë, - thotë një mësuese, - cilët janë modernë, ata që kopjuan tezën e maturës shtetërore nga të huajt, se përtonin të studionin tekstet me të cilat kishin mësuar nxënësit shqiptarë apo ne që përballemi çdo ditë me nxënësit dhe që përpiqemi të ndreqim gjithnjë gabimet e atyre që na servirin vetëm teorirëra”.
Drejtori i AVA
Alfons Harizaj, drejtor i Qendrës Kombëtare të hartimit të testeve, mohon në mënyrë kategorike që testi të jetë kopjuar. Sipas tij, “Albatros” i Bodler bën pjesë në programin orientues të miratuar nga MASH dhe kur hartojnë testet ata i referohen këtij programi. “Ministria e Arsimit miraton programin orientues të çdo lëndë dhe ne nuk kemi përfshirë në test ndonjë libër që nuk bën pjesë në këtë program orientues. Nëse do të kishim bërë këtë, atëherë do të ishim fajtorë. Sa i përket poezisë së “Bodler”, mësuesit trajnohen më parë për vlerësimin e tyre, dhe, edhe herë të tjerë na ka rastisur që në përgjigje, të kemi marrë një argument të drejtë, që ne nuk e kemi pas shënuar në çelësin e përgjigjeve, por e kemi cilësuar të saktë. Të jenë të sigurtë se askujt nuk do t’i hahet nota, por askush as nuk do të përfitojë një notë pa të drejtë. Sa i përket tezës së Letërsisë, unë e mohoj në mënyrë kategorike të jetë kopjuar diku tjetër, pasi ne tashmë kemi një traditë dhe një grup të madh ekspertësh që merren me hartimin e tezave”, - ka deklaruar drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)