Ministria e Arsimit, përmes një udhëzimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, ka përcaktuar procedurat përmes të cilave do të emërohen dhe do të largohen nga detyra mësuesit me arsimin parauniversitar.

"Vendet e shpallura të lira në fillim u ofrohen mësuesve të të njëjtit profil dhe nivel, brenda së njëjtës njësi arsimore vendore (DAR)", përcakton udhëzimi që mban firmën e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, në të cilin është bashkangjitur edhe formulari që duhet të plotësojnë pretendentët për vendet vakante.

Udhëzimi përcakton procedurat e shpalljes së vendit vakant, mënyrën si do të aplikojnë konkurrentët, por edhe rastet apo shkeljet kur arsimtari largohet nga detyra. Prioritet në emërimet e reja për çdo pozicion do t'u jepet mësuesve të të njëjtit profil dhe mundësisht nga e njëjta njësi vendore ku gjendet vendi vakant.

Drejtori i institucionit arsimor merr vendimet per largime nga puna në rastet e shkeljeve flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë në ngarkim të tij nga organet kompetente për një ose më shumë raste.

ATSH