Ministria e Brendshme: 420 familje të evakuuar, 5000 hektarë tokë nën ujë


TIRANË, 3 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë territorin e vendit ka mbizotëruar mot me vranësira dhe reshje me intensitet të ulët deri mesatar.
Në zonat malore reshjet kanë qenë në formën e dëborës. Era ka fryrë e lehtë, në bregdet deri 20 km/orë, nga jugperëndimi, raporton Ministria e Punëve të Brendshme
Sipas Ministrisë së Brendshme, sipërfaqja nën ujë në të gjithë vendin përllogaritet në rreth 5000 hektarë. Në total janë evakuuar nga banesat e tyre 420 familje.
Në zonat e përmbytura ka nisur shpërndarja e pakove me ushqimeve. 250 pako me ushqimet më të domosdoshme janë duke u shpërndarë në Novoselë të Vlorës, ndërsa 250 të tjera do të shpërndahen në Levan të Fierit. Drejtoria e Rezervave të Shtetit ka përgatitur edhe 80 pako të tjera më ushqime që do të dërgohen në Urën Vajgurore.
Sipas qarqeve:
QARKU FIER.
Gjatë 24 orëve të kaluara reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të dobët deri mesatar. Lumi Seman mbetet në nivele kritike. Në komunat Frakull, Levan dhe Darëzezë ka prezencë të ujit. Situata po monitorohet e po bëhen matjet e nivelit të ujërave.
Të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 220 banesa. Të evakuara janë 160 familje. Sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 3500 ha.QARKU VLORË.                                                            Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun ka patur reshje shiu me intensitet të dobët deri mesatar. Niveli i prurjeve të ujrave të lumit Vjosë ka patur rënie. Në rrethin e Vlorës të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 602 banesa.
Të evakuara janë 200 familje. Sipërfaqe toke të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 100 ha. Aksi rrugor Vlorë - Selenicë është përmbytur në disa segmente nga dalja e ujrave të lumit Vjosë. Në rrethet Sarandë dhe Delvinë, sipërfaqe toke me prezencë uji janë rreth 165 ha.
QARKU BERAT.
Gjatë 3 ditëve të fundit në territorin e rretheve Berat, Kuçovë dhe Skrapar, kanë rënë rreth 100 mm reshje shiu çdo ditë.
Prurjet e lumenjve Osum dhe Devoll kanë qenë të shumta. Për rrjedhojë ka patur dalje të ujërave nga shtrati i tyre, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në bashkitë Berat dhe Ura Vajgurore, si dhe në komunat Otllak, Poshnje dhe Perondi.
Sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 150 ha.
Të evakuara janë 58 familje. Biznese të përmbytura janë 1.5 ha sera.
Nga rrëshqitjet e tokës janë shfaqur problem në 3 pika të aksit rrugor Pronovik-Çorovodë.
Qarku i Gjirokastrës.
Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun ka patur reshje shiu me intensitet të dobët deri mesatar. Në zonat malore, konkretisht në komunat Zagorie, Frashëri dhe Kurvelesh, kanë rënë gjatë natës e deri sot në mëngjes rreth 20cm reshje dëbore. Qarkullimi i automjeteve për në këto komuna kryhet me zinxhirë.
Sipas informacioneve të marra niveli i ujrave të lumit Vjosë në rrethin e Tepelenës ka qenë në ulje gjatë ditës së djeshme. Aksi rrugor nacional Tepelenë-Gjirokastër nuk ka patur probleme nga rënia e inerteve.
Sipërfaqe toke të përmbytur janë rreth 1000 ha, kryesisht në komunat Lunxhëri, Antigone, Cepo, Dropull i Sipërm, Qesarat, Krahës, Qendër dhe Fshat Memaliaj. Në fshatin Karjan të komunës Lunxhëri është çarë argjinatura e lumit Drino që rrezikon përmbytjen e mëtejshme të sipërfaqes së tokës dhe një zonë të vogël banimi.
QARKU KORÇË.                                                                                                                                                                 Gjatë 24 orëve të kaluara ka patur reshje shiu me intensitet të dobët deri mesatar. Akset rrugore që qarkullohen me zinxhirë janë: Korçë-Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Qafë Plloçë-Qafë Thanë. Akset e tjera rrugore janë të hapura dhe qarkullohen normalisht.
QARKU SHKODËR.
Akset rrugore nacionale janë të gjitha të qarkullueshme pa zinxhirë. Akset rrugore rurale, nga akset rrugore nacionale për në qendrat e komunave, janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Fushë Arrëz-Iballë që është i bllokuar nga dëbora. Firma kontraktuese ka punuar me një mjet për hapjen e këtij aksi.
Aksi Vermosh-Tamarë është i kalueshëm me vështirësi.
Aksi Qafë Thore është i bllokuar pasi trashësia e dëborës është 1 metër.
QARKU KUKËS.
Gjatë 24 orëve të kaluara në territorin e qarkut ka patur reshje të dendura dëbore dhe me intensitet të lartë. Trashësia e dëborës në lartësitë mbi 400-600 m varion nga 20-35 cm dhe mbi 800m lartësia e dëborës është 40-50 cm.
Autostrada e Kombit ka qënë e qarkullueshme pa zinxhirë. Në hyrje të Tunelit të Kalimashit trashësia e dëborës të rënë gjatë natës është 25 cm. Të gjitha akset rrugore kanë qenë të qarkullueshme pa zinxhirë.
Akset rrugore rurale: Nga akset nacionale për në qëndrat e komunave Kalis, Grykë-Çajë e Zapod, qarkullimi i automjeteve kryhet me zinxhirë. Në akset e tjera të komunave qarkullimi i automjeteve kryhet pa zinxhirë. Vazhdon të jetë i bllokuar aksi rrugor nga rruga nacionale për në qendrën e komunës Arrën.
QARKU TIRANË.
Si rezultat i reshjeve të shiut dhe prurjeve në Ujëmbledhësin e Bovillës ka patur rritje të nivelit të ujit. Për këtë arsye u bënë shkarkime të detyrueshme nga porta e ujëmbledhësit, të cilat nuk sollën probleme në zonat poshtë tij. Në aksin rrugor nacional Tiranë-Elbasan qarkullimi i automjeteve ka rifilluar gjatë mbasdites së datës 02.02.2015.
 
QARKU ELBASAN.
Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun ka patur reshje shiu me intensitet të dobët deri mesatar. Gjatë pasdites së djeshme ka patur reshje dëbore në aksin rrugor nacional Përrenjas-Qafë Thanë dhe qarkullimi i automjeteve është kryer me zinxhirë. Aksi rrugor nacional Librazhd-Stëblevë ka prezencë të dëborës rreth 60 cm. Po punohet nga firma kontraktuese për pastrimin e rrugës për normalizimin e qarkullimit të automjeteve. Aksi rrugor nacional Elbasan-Gjinar është i bllokuar nga rrëshqitja e trupit të rrugës në segmentin Shelcan-Shelcan Katund si dhe nga dëbora e rënë gjatë natës me trashësi rreth 20 cm.
Në fshatin Rrenës të komunës Grekan, rrethi Elbasan, është evakuar një familje për shkak të përmbytjeve nga dalja e ujërave të lumit Devoll. Në komunën Lenie të rrethit Gramsh, për shkak të përmbytjeve, janë evakuar 12 familje me rreth 48 banorë./a.g/

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet