TIRANE- Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Leonard Olli në një prononcim telefonik për Tv A1 Report deklaron se situata po vjen duke u përmirësuar. “Nga 33 vatra zjarri qaë ishin mbrëmjen e djeshme sot raportohen 30 janë vatra zjarri aktive në të gjithë vendin.” - informon Olli por shton se “ka shumë mundësi dhe riaktivizimi i tyre” nëse favorizohen nga era dhe temperaturat e larta.

Situata më problematike sipas Ollit është në verilindje, në qarkun e Shkodrës. “Këtu situata është më e agravuar” - informon zëdhënësi i ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që po punohet për shuarjen e flakëve në Priskë, ku është angazhuar dhe helikopteri. Në Krrabë zjarri është drejt shuarjes së plotë, ndërsa në Vlorë dhe në Borsh zjarri është shuar.
Lidhur me zjarret ne parkun kombetar të Bozdovecit  Olli sqaroi se fakti që zjarri ka rënë në një pyll ahu favorizon mos përhapjen e tij, dhe mundësinë më të madhe për shuarjen e tij. "Nuk rrezikon kalimin e zjarrit drejt Dardhës. Nga forcat tona në vendin e ngjarjes nuk kemi kërkesë për ndihmë nga ajri. Na është thënë se mund të ndërhyjmë nga toka. Nëse është e nevojshme do ndërhyjmë”.

I pyetur për mungesën e fondeve për përballimin e situatës, Olli tha se këtë fond nuk e dispononte ministria e Brendshme por ajo e Mjedisit. “Nuk ju informoj dot pasi i takojnë ministrisë së mjedisit.”
(sg/shqiptarja.com)