TIRANË- Pas Durrësit e Korçës, edhe në Dibër është konfirmuar prezenca e gripit të shpendëve. Këto vatra janë futur në karantinë në një rreze prej 10 km, siç parashikohet edhe në protokoll.
“Aktualisht zonat në karantinë janë: Durrës, perimetri me rreze 10 km në qarkun Durrës me qendër në fshatin Rrashbull. Dibër, perimetri me rreze 10 km në qarkun Dibër me qendër në fshatin Rrethkal(rasti pozitiv në shpend oborri). Korçë, perimetri me rreze 10 km në qarkun Korçë me qendër në fshatin Prespë të vogël( rasti pozitv i pelikanit kaçurrel)”, tha zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci.
Në total deri më tani kanë ngordhur 358 520 shpend, nga të cilat 39 mijë janë groposur vetëm ditën e djeshme. Ndërkohë, 120 mijë pula të tjera të gjalla janë të infektuara, e për këtë zv.ministrja njoftoi se ka dalë edhe urdhri për asgjësimin e tyre, proces që pritet të nisë së shpejti, por që nuk dha një datë konkrete. Ndërsa për caktimin e vend groposjes në Shijak të pulave tha se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore.
“Deri tani janë raportuar të ngordhura 358 mijë e 520 shpendë nga të cilat, vetëm ditën e djeshme janë groposur pothuajse 39 mijë shpendë. Është e rëndësishme të kuptojmë që proceset janë dinamike dhe këto shifra ndryshojnë me orë. Me identifikimin e vatrës së re, sipas planit të kontigjencës dhe legjislacionit në fuqi, do të shtojmë masat. Sot jemi në proces vendimmarrje për masat e reja që do të marrim dhe do ju lajmërojmë”, tha zv.ministrja.
Teksa renditi një sërë vendesh të tjera të Europës në të cilat është shfaqur ky virus, Gjeçi theksoi deri më tani nuk ka asnjë vendim për të ndalur importin me vendet e prekura.
“Në shume vende të BE, si Franca, Gjermania, Polonia, Hungaria, Zvirca, Spanja, Italia, Greqia janë konfirmuar raste të pranisë së Influencës aviare në shpendë të egër dhe në stabilimente të rritjes së shpendëve. Kjo është një sëmundje e cila sot ka prekur të gjithë kontinentin Europian dhe rregullat që po ndiqen në Shqipëri janë conform procedurave të Bashkimit Europian. Aktualisht prekshmërinë më të madhe e ka Franca ku janë prekur 540 stabilimente dhe kane ngordhur dhe eliminuar 72.000.000 shpendë. Procedurat rregullatorë të BE për masat mbrojtëse kundër sëmundjes sëe influences aviare janë vendosur edhe në vendin tone (siç janë zona e mbrojtjes dhe e mbikëqyrjes 3 dhe 10 km.) Sëmundja e influences aviare është listuar në 7 sëmundjet kryesore emergjente në BE. Kjo sëmundje konsiderohet si sëmundje ndërkufitare ku janë të përcaktuar masat që duhet merren si ne kuadrin ligjor te BE ashtu dhe në aktet tona ligjore. Nuk kemi marrë vendim për të ndaluar importin me këto vende”, sqaroi zv. Ministrja.
Ajo pati një mesazh për konsumatorët, duke thënë se nuk duhet të tremben, pasi deri më tani nga studimet e bëra nuk ka asnjë rast që sëmundja mund të transmetohet nga konsumimi i nënprodukteve të shpendëve.