Ministria e Financave: 13.4 mln
euro borxhe të krijuara rishtazi

Ndonëse u zotua se nuk do të krijonte detyrime te prapambetura, madje duke adoptuar edhe vendime të posaçme për likuidimin e menjëhershëm të pagesave ndaj privatëve, qeveria gjithsesi ka grumbulluar borxhe të krijuara rishtaz.

Sipas statistikave më të fundit të ministrisë së Financave, në total këto detyrime për periudhën janar 2015-dhjetor 2016 janë rreth 13.4 milionë euro. Shifra është shumë herë më ulët se ajo që qeveria Rama trashëgoi nga Berisha – 600 milionë euro – por megjithatë, për shkaqe të ndryshme, shteti vijon të vonohet në likuidimin e detyrimeve ndaj individëve dhe subjekteve tregtare.Një punë më e mirë për shlyerjen është bërë në dy muajt e fundit të vitit të kaluar, kur shuma e detyrimeve arriti në 1.8 miliardë lekë, nga 3.3 miliardë në fund të tetorit 2016.  

Më poshtë jepet në mënyrë më të detajuar, për çdo ministri, vlera e këtyre detyrimeve bazuar në informacionet zyrtare.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës raporton që detyrimet për periudhën 1 nëntor 2016–31 dhjetor 2016 janë në vlerën 371.8 milionë lekë, të krijuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ndërsa, totali i detyrimeve për ministrinë nga janari 2015 deri në dhjetor 2016 raportohen në vlerën 682.2 milionë lekë. Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron detyrime të krijuara rishtaz kontrata studime projektime dhe oponencë, në vlerën 100 milionë lekë, që kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2016 nga ARRSH; kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 20 milionë lekë, kontrata shumëvjeçare të trashëguara, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut; TVSH dhe kosto lokale, në vlerën 36.8 milionë lekë; vendime gjyqësore 26.2 milionë lekë dhe kontrata mirëmbajtjeje në vlerën 188.8 milionë lekë.

Ministria e Punëve të Brendshme raporton që për periudhën 1 nëntor 2016–31 dhjetor 2016 detyrimet e reja të saj janë në vlerën 241.4 milionë lekë. Ky është edhe detyrimi totale për MPB për periudhën janar 2015–dhjetor 2016.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes raporton që për periudhën 1 nëntor 2016–31 dhjetor 2016 detyrimet janë në vlerën 0.6 milionë lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë në disa institucione. Por totali i detyrimeve nga janari 2015 deri në dhjetor 2016 raportohet në vlerën 265.5 milionë lekë.

Ministria e Mjedisit raporton që detyrimet për periudhën nga 1 nëntori 2016 deri më 31 dhjetor 2016 janë në vlerën 43.5 milionë lekë të lindura si detyrime nga vendime gjyqësore të formës së prerë. Por totali i detyrimeve të këtij dikasteri për periudhën janar 2015 deri në dhjetor 2016 raportohet në vlerën 172 milionë lekë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit raporton si detyrime të reja 20.2 milionë lekë, kryesisht si rrjedhojë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në disa institucione. Ndërsa totali i detyrimeve janar 2015–dhjetor 2016 raportohet 25.2 milionë lekë.

Ministria e Drejtësisë raporton 15.5 milionë lekë detyrime të reja që u përkasin vendimeve gjyqësore të formës së prerë sipas institucioneve të mëposhtme: Agjensia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave 15.3 milionë lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe nga AKKP është ngritur problemi për pamjaftueshmëri fondesh; institucione të tjera të varësisë 0.2 milion lekë. Ndërsa totali i detyrimeve janar 2015–dhjetor 2016 raportohet në vlerën 201.2 milionë lekë.
Ministria e Shëndetësisë– raporton 6 milionë lekë detyrime të reja dhe një total 17.6 milionë lekë.

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave raporton 4.1 milionë lekë detyrime të reja dhe një total prej 4.7 milionë lekësh.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk raporton detyrime të reja për periudhën 1 nëntor 2016–31 dhjetor 2016, por për periudhën janar 2015–dhjetor 2016 detyrimet totale janë 47.6 milionë lekë.

Ministria e Financave raporton 56.5 milionë lekë në total, pa detyrime të reja.
Ministria e Mirëqënies Social edhe Rinisë ka krijuar 5.9 milionë lekë detyrime të reja të lindura si detyrime nga vendime gjyqësore të formës së prerë, kryesisht në institucionin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës. Ndërsa, totali i detyrimeve nga janari 2015 deri në dhjetor 2016 raportohet në vlerën 19.9 milionë lekë.
Ministria e Zhvillimit Urban raporton 22.2 milionë lekë borxhe të reja dhe po kaq në totalin dyvjeçar.

Ministria e Kulturës ka krijuar 14 milionë lekë detyrime të reja të lindura si detyrime nga vendime gjyqësore të formës së prerë. Ndërsa, totali i detyrimeve nga janari 2015 deri në dhjetor 2016 raportohet në vlerën 14.4 milion lekë.
Kurse Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve raporton 31.6 milionë lekë detyrime të krijuara së fundmi, ndërkohë që në tetor 2016 i kishte zeruar ato.

tabelat ekonomike

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Gruaja që braktisi Kanadanë me të bijën për të ndjekur misionin shpirtëror, historia në podcastin 'Flasim'! Rama: E dashuroj paqen, por nuk e gjej

Gruaja që braktisi Kanadanë me të bijën për të ndjekur misionin shpirtëror, historia në podcastin 'Flasim'! Rama: E dashuroj paqen, por nuk e gjej