Ministria e Financave: Kushtet e favorshme financiare, rritën konsumin dhe investimet private

/ATSH/- Ministria e Financave ka gati buxhetin faktik të vitit 2014. Zyra e shtypit në ministrinë e Finacave bëri të ditur sot se, publiku dhe aktorët e tjerë shoqërorë do të njihen së shpejti me shifrat konkrete të ekonomisë reale për vitin 2014.
Ndërsa tashmë janë analizuar shifrat dhe janë të njohura edhe konkluzionet e administratorëve publikë lidhur me atë se çfarë ka ndodhur gjatë vitit të kaluar, cilat kanë qënë arritjet dhe mangësitë, cilët faktorë kanë ndikuar dhe të tjerë që kanë penguar rritjen ekonomike, si janë menaxhuar financat publike dhe çfarë ka ndodhur realisht me buxhetin dhe treguesit e konsoliduar të tij etj.
Ministria e Financave, nisur nga shifrat e konfirmuara zyrtare, bën me dije se ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja përmirësimi gjatë vitit 2014, duke shënuar shifra pozitive të rritjes, me përjashtim të tremujorit të dytë. Vlera e shtuar në ekonomi ka regjistruar një rritje prej 1.89 për qind krahasuar me vitin 2013.
Faktorët që ndikuan në rritjen e treguesve ekonomik
Janë disa faktorë që kanë ndikuar në përmirësimet e vërejtura, që lidhen kryesisht me zgjerimin e konsumit privat si dhe, në një masë më të ulët, rritjen e investimeve private dhe konsumit të sektorit publik.
Sipas të dhënave të konsoliduara, të ardhurat e buxhetit për periudhën 12-mujore arritën në 366.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12.1 për qind krahasuar me vitin 2013, ndërsa në raport me PBB u rritën në 26 për qind nga 24.1 për qind të PBB për vitin 2013.
Për vitin 2014, të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan në masën 253.4 miliardë lekë ose 10.7 për qind më shumë krahasuar me një viti më parë; të ardhurat nga pushteti vendor arritën në 12.4 miliardë lekë nga 12.8 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë dhe me rritje vjetore prej 15 për qind më shumë; të ardhurat nga fondet speciale arritën 70 miliardë lekë, me realizim prej 110.1 për qind dhe me rritje vjetore 16.5 për qind ose 9.9 miliardë leke; të ardhurat nga ndihmat rezultojnë për periudhën rreth 10.1 miliardë lekë nga rreth 5.7 miliardë lekë të një viti më parë; të ardhurat jo-tatimore janë realizuar në rreth 20.7 miliardë lekë.
Ministria e Financave bën të ditur se, për vitin e kaluar, administrata doganore ka mbledhur 150.7 miliardë lekë ose rreth 11 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, me rritje pothuajse 8 për qind. Administrata tatimore ka mbledhur (përfshirë kontributet) 163.7 miliardë lekë, që do të thotë 13.3 për qind më shumë të ardhura se ato të vitit 2013 ose 19.2 miliardë lekë më shumë.
Kushtet e favorshme financiare, rritën konsumin dhe  investimet privateRritja e besimit në ekonomi dhe kushtet e favorshme financiare kanë mbështetur rritjen e konsumit dhe të investimeve private gjatë vitit 2014. Investimet private u ndikuan pozitivisht nga rritja e besimit të bizneseve, rritja e kapaciteteve shfrytëzuese, rritja e numrit të porosive të reja dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit. Flukset hyrëse të IHD-ve, (duke e pastruar nga privatizimet me kapital të huaj) mbështetën rritjen e këtij komponenti, veçanërisht në tremujorin e parë të vitit.
Janar - Dhjetor 2014, eksportet u rritën 3.8 % më shumë se një vit më parë
Eksportet për periudhën janar - dhjetor 2014 ishin 3.8 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Importet e mallrave për periudhën janar - dhjetor 2014 ishin 6.7 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Deficiti tregtar për periudhën janar - dhjetor 2014 është përkeqësuar me 9.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Norma e mbulimit të eksporteve ndaj importeve është 46.3 për qind.
Sipas të dhënave të detajuara të tregtisë së jashtme në mallra, kontributin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë zgjerimi vjetor i eksportit të kategorisë "Tekstile dhe këpucë" me rreth 24.6 për qind. Në këtë kategori përfshihen mallrat për eksport me material porositësi. Kontribut tjetër të rëndësishëm pozitiv dha edhe kategoria "Ushqim, pije dhe duhan", eksporti i të cilës ishte rreth 14.1 për qind më i lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Brenda kësaj kategorie, rritja e përshpejtuar e eksportit të mallrave bujqësore udhëhoqi ecurinë e regjistruar. Në anën tjetër, eksporti i produkteve të kategorisë "Materiale ndërtimi dhe metale" është zvogëluar në nivel vjetor, i ndikuar prej rënies së çmimit të metaleve në tregjet ndërkombëtare.
Kontributin më të madh negativ në ecurinë e eksporteve e dha rënia e përshpejtuar prej 12.3 për qind e eksportit të kategorisë "Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike". Aktiviteti eksportues i vendit vijon të mbështetet kryesisht në partnerë tregtarë si: Italia, Malta, Kosova, Spanja, Greqia dhe Turqia. Në anën tjetër, origjina e produkteve të importuara prej vendit tonë vijon të mbetet më e larmishme, ku vendet e BE-së zënë peshën kryesore ndaj totalit.
Në ditët në vijim Ministria e Financave do të informojë edhe lidhur me treguesit e shpenzimeve, të borxhit publik, ndryshimet fiskale të vitit 2014 dhe ndikimin e tyre në ekonomi etj., duke vlerësuar transparencën me publikun, si një nga përparësitë e saj të komunikimit. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve