TIRANE, 21 Gusht /ATSH/- Ministria e Financave bën të ditur se krijimi i kadastrës fiskale do te jete ne fokus te paketës fiskale per vitin e ardhshëm.
Pronat e patundshme te qytetareve do te regjistrohen te gjitha në një sistem on-line, se bashku me çmimet e zonave përkatëse, në mënyrë që të përllogariten taksat që duhet të paguajë secili për banesën, dyqanin apo truallin që ka në pronësi.
Është ky thelbi i projektit, që parashikon krijimin për herë të parë në Shqipëri të kadastrës fiskale, e cila synon të vendosë rregull në këtë sektor, që konsiderohet me informali edhe përsa i pëket të ardhurave në buxhet.
Në kushtet e informalitetit në ndërtime dhe në biznes, baza aktuale e të dhënave nuk ka saktësinë e nevojshme. Ne mjaft raste ndryshon nga viti në vit pronari, ose nuk përcaktohet destinacioni i objektit, për banim apo për biznes.
Ne Shqipëri, ka qytetare që kanë në pronësi më shumë se një banesë, dyqan apo prona të tjera të patundshme dhe nuk paguajnë taksa për to. Kjo do të thotë humbje e konsiderueshme për buxhetin e shtetit.
Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të financave, të ardhurat që mblidhen nga taksa e pasurisë janë ndjeshëm më të ulëta se niveli i taksave të tjera. Për 6 mujorin e parë të këtij viti, nga kjo taksë janë futur në buxhet 2.2 miliardë lekë, duke qenë viti me nivelin më të lartë të arkëtimeve në 11 vitet e fundit. Por me tepër sesa të formalizimi i sektorit, kjo performacë më e mirë në arkëtim i faturohet rritjes së kësaj takse në paketën fiskale të këtij viti.
Për shkak të numrit të madh të ndërtimeve informale, Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave nga taksat mbi pronën. e.xh//a.ke/












