TIRANË- Punimet për aksin Vorë-Ura e Dajlanit do të rinisin sërish. Pas kaosit që u krijua me trafikun, ARRSH, siç Report Tv e raportoi më herët gjatë ditës së sotme, ka vendosur që punimet që mos realizohet gjatë ditës, por do të ndërhyhet në fashën orare 23:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Kjo situatë vjen pasi për shkak të punimeve për aksin Vorë-Ura e Dajlanit u krijua një trafik kilometrik dhe drejtuesit e mjeteve qëndruan të bllokuar për orë të tëra në radhët kilometrike.

Punimet për riparimin total të këtij aksi pritet që të zgjasin të paktën 2 javë. Pasi, në çdo segment që do të ndërhyhet për riparimin e asfaltit, punimet do zgjasin 1 deri në 2 ditë. Përkatësisht do të ketë bllokim në akset, Vorë-Maminas, Maminas-Sukth, Sukth-Fllakë, Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit, Mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit.

ARRSH i bën thirrje drejtuesve që të përdorin rrugën alternative, Vorë – Maminas - Katër rrugët e Shijakut - Durrës.

"Të gjithë përdoruesit e kësaj rruge, në oraret e mësipërme duhet të kalojnë në rrugën alternative: Vorë – Maminas - Katër rrugët e Shijakut - Durrës. Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë-Durrës, do të vijojë puna edhe në krahun tjetër Ura e Dajlanit - Vorë, sipas të njëjtave segmente dhe kohëzgjatje. Ndërhyrja në këtë aks rrugor është e domosdoshme për rehabilitimin e tij, ndaj ARRSH kërkon edhe një herë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe i fton të zgjedhin rrugët alternative për të lehtësuar këtë proces rehabilitimi", njoftoi ARRSH. 

Akset që preken nga punimet
Vorë-Maminas
Maminas-Sukth
Sukth-Fllakë
Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit,
Mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit