Ministria e Jashtme apel shqiptarëve: Mos dilni jashtë vendit! Anuloni fluturimet! Askush nuk ndëshkohet për tejkalimin e afateve

Ministria e Jashtme apel shqiptarëve: Mos dilni jashtë vendit! Anuloni fluturimet! Askush nuk ndëshkohet për tejkalimin e afateve

Me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme udhëzon të gjithë qytetarët që kanë planifikuar udhëtime, t’i anulojnë ato, nëse s’janë domosdoshmërisht të nevojshme për ta apo familjarët e tyre.

Gjithashtu, MEPJ bën me dije se një pjesë e konsiderueshme e linjave i kanë anuluar fluturimet për në aeroportin e Rinasit. Për më tepër, një numër i konsiderueshëm shtetesh kanë ndaluar kalimin tranzit përmes aeroporteve të tyre, si dhe qarkullimin e të huajve në territorin e tyre. 

Sa i përket shërbimeve konsullore të nevojshme apo të emergjencës për të cilat qytetarët dëshirojnë të aplikojnë, MEPJ informon se qytetarët duhet të drejtohen në platformën e shërbimeve konsullore online në faqen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme klikoni në linkun: https://punetejashtme.gov.al/sherbimet-konsullore-online/ dhe në Portalin Qeveritar e-Albania në linkun: https://e-albania.al/Default.aspx

Për çdo informacion tjetër të nevojshëm, MEPJ i bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të kontaktojnë pa hezitim me Përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në vendin ku ndodhen, në numrat e tyre të emergjencës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:54
BE mbyll kufijtë, Ministria e Jashtme sqaron shqiptarët për masat kufizuese të udhëtimeve

Mbyllja e kufijve të Bashkimit Europian ka bërë që Ministria e Jashtme të sqarojë shqiptarët që kanë planifikuar një udhëtim drejt Europës.

Sipas Ministrisë së Jashtme  përjashtimet nga kufizimi i përkohshëm i udhëtimit do të bëhen vetëm në rastet e udhëtimeve për qëllime thelbësore të shtetasve:

- të vendeve anëtare të BE-së, të vendeve nënshkruese të Schengen-it (Islandë, Lihtenshtein, Norvegji, Zvicër), dhe për anëtarët e familjeve të tyre, në rastet e kthimit të tyre në shtëpi;

- të vendeve të treta që janë rezidentë afatgjatë dhe personat që kanë përfituar të drejtën e qëndrimit, apo që kanë një vizë qëndrimi afatgjatë.

Nga ky kufizim i përkohshëm i udhëtimit përjashtohen: personeli shëndetësor, kërkuesit mjekësorë, punonjësit e kufirit, personeli i angazhuar me transportin e mallrave dhe çdo personel tjetër transporti, në masën e nevojshme, diplomatët, stafi i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjës të ndihmës humanitare gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, pasagjerët në tranzit, pasagjerët që udhëtojnë për arsye të domosdoshme familjare, personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, ose për arsye të tjera humanitare.

Nisur nga serioziteti i situatës, këshillohen të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe shtetasit e vendeve të treta që qëndrojnë aktualisht në territorin e RSH-së të mos kryejnë udhëtime të panevojshme jashtë Shqipërisë.

Për të gjithë shtetasit të cilët duhet të kryejnë udhëtime thelbësore, lutemi të konsultojnë faqen online të MEPJ dhe të ambasadave të akredituara në RSH, për informacione të përditësuara rreth kushteve të udhëtimeve dhe kufizimeve respektive.

Ora 16:38
Njoftim i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë që ndodhen në Suedi dhe Slloveni

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon të gjithë qytetarët shqiptarë që ndodhen në Suedi, se të gjithë personat që janë në gjëndje të provojnë se nuk kanë pasur mundësi të lenë Suedinë për shkak të anullimit të fluturimit, ose shkaqe të tjera, mund të aplikojnë për zgjatje afatit të qëndrimit, me kusht që ky afat të mos i kalojë 90 ditët. 

Nëse qëndrimi në zonën Schengen do t’i kalojë 90 ditët, duhet të aplikojnë për një VIZË Vizitori.  Ky aplikim njofton MEPJ duhet të kryhet para se të skadojë afati i qëndrimit të deritanishëm.

Aplikimi bëhet duke ndjekur udhezimet në linkun e mëposhtëm të Portalit Diplomatik: KLIKONI KETU

Sa i përket qytetarëve shqiptarë që aktualisht ndodhen në Slloveni, MEPJ bën me dije se koha e qëndrimit të tyre në këtë vend, në këtë situatë të jashtëzakonshme, nuk do të llogaritet brenda 90 ditëshit të qëndrimit të lejuar në zonën Schengen.

Ora 13:11
Lajm i mirë për shqiptarët në Itali dhe Republikën Çeke: Askush nuk do ndëshkohet

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon lidhur me afatin e qëndrimit të shtetasve shqiptarë në Itali dhe në Republikën Çeke.

Duke nisur nga data 2 mars 2020, është vendosur një pezullim 30 ditor i afateve për procedimet administrative lidhur me qëndrimin e shtetasve të huaj, në territorin italian. Pezullimi, vlen si për procedurat e lidhura me lejet e qëndrimit (aplikim i parë ose rinovim), ashtu edhe për vizat.

Për këtë arsye, bën me dije MEPJ, nuk do u jepet masa e përjashtimit nga territori italian qytetarëve të huaj, të cilët do të gjendeshin në situatë parregullsie, të shkaktuar nga pezullimi i korridoreve të transportit të qytetarëve me Republikën e Italisë.

Gjithashtu, sa i përket qëndrimit të qytetarëve shqiptarë në Republikën Çeke, MEPJ informon se të gjithë shtetasit e huaj, të cilët në momentin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ndodheshin në mënyrë legale në territorin çek, do të mund të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë territor gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, pa pasur nevojë të zgjidhin çështjet e statusit të qëndrimit të tyre.
 

Ora 10:34
Ministria informon qytetarët shqiptarë: Hyrja në Bullgari vetëm pas ekzaminimit të duhur mjekësor në kufi

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar sot qytetarët shqiptarë mbi situatën e deritanishme në Republikën e Bullgarisë, ku është shpallur gjendja e jashtëzaonshme nga 13 mars deri më 13 prill për shkak të situatës nga COVID-1.  Hyrja në territorin bullgar, është e mundur vetëm pas ekzaminimit të duhur mjekësor në kufi. Sipas rezultateve të ekzaminimit, qytetari do të vendoset në karantinë ose në vetëizolim

"Republika e Bullgarisë ka ndaluar përkohësisht hyrjen në territorin e saj të shtetasve, që vijnë nga Kina, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Irlanda e Veriut, Zvicra, Irani, Koreja e Jugut, Banglandeshi, India, Maldivet, Nepali dhe Sri Lanka. Nga ky ndalim, përjashtohen shtetasit që kanë leje qëndrimi në Bullgari, si dhe familjarët e tyre”, njofton ministria.

Ndërkohë,  për të gjithë qytetarët, të cilët kanë qenë gjatë 14 ditëve të fundit në vende si: Austria, Belgjika, Kina, Danimarka, Franca, Gjermania, Irani, Iraku, Italia, Koreja e Jugut, Holanda, Norvegjia, Spanja dhe Suedia, është ndaluar udhëtimi i tyre nga Bullgaria për në Turqi dhe Maqedoninë e Veriut, në rrugë tokësore dhe detare. Automjetet i nënshtrohen kontrolleve në kufi dhe dezinfektohen sipas masave të vendosura. Portet detare funksionojnë në bazë të programit të zakonshëm. Shërbimi i transportit detar vazhdon të funksionojë vetëm për qëllimet e dërgesave.

“Procesi arsimor dhe edukativ në Republikën e Bullgarisë është pezulluar që nga data 16 mars 2020. Galeritë, kinematë, palestrat dhe klubet janë të mbyllura. Restorantet, baret dhe fast food-et gjithashtu janë mbyllur për një periudhë 2 javore. Kampionati i futbollit është pezulluar deri më datë 13 prill 2020. Është pezulluar përkohësisht transporti gjatë orëve të natës. Resortet e skive në Bansko, Borovets dhe Pomporovo janë mbyllur që nga data 16 mars 2020. Të gjithë qytetarët, që vazhdojnë të punojnë në këto rrethana (në banka, zyra shërbimesh, farmaci, dyqane dhe tregje), duhet të pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme për dezinfektim”, thekson MEPJ.

“Një person i infektuar me virus ose që mbart virusin i nënshtrohet trajtimit ose karantinës/vetëizolimit. Në rast refuzimi për respektimin e rregullave, personat do të gjobiten në vlerën 5.000 BGN (leva)”, përfundon MEPJ.

Ora 09:28
Fluturimi i fundit Paris-Tiranë më 19 mars, ja adresa ku të prenotoni biletat

Fluturimi i fundit Paris-Tiranë do jetë ai i datës 19 mars, si pasojë e përhapjes së koronavirusit, njoftoi ambasada shqiptare në Francë.

Ambasada këshillon të gjithë shtetasit shqiptarë që e kanë të domosdoshëm kthimin në atdhe që të prenotojnë sa më parë biletat në faqen e internetit tê Transavia-s (transavia.com).

“Pas komunikimeve të vazhdueshme të Ambasadës së Shqipërisë, kompania ajrore Transavia France konfirmon se fluturimi Paris-Tiranë i datës 19 mars, do të kryhet. Këshillohen të gjithë shtetasit shqiptarë që e kanë të domosdoshëm kthimin në atdhe që të prenotojnë sa më parë biletat në faqen e internetit tê Transavia-s (transavia.com), pasi, pas kësaj date, fluturimet do të ndërpriten të paktën deri më 19 prill 2020”, u shpreh Ambasada e Shqipërisë në Francë.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Medvedev kërcënon zyrtarët e NATO-s, pas vrasjes së gjeneralit rus

Medvedev kërcënon zyrtarët e NATO-s, pas vrasjes së gjeneralit rus