Ministria e Jashtme nuk e di numrin
e shteteve që njohin Kosovën

Ministria e Jashtme nuk e di numrin<br />e shteteve që njohin Kosovën
PRISHTINE- Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka raportuar të mërkurën para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Ministri Hoxhaj është përballur me numër të madh të pyetjeve nga kryetari i komisionit dhe anëtarët e tjerë lidhur me punën që bën kjo ministri në rrafshin diplomatik.

Pyetjet e anëtareve të komisionit kryesisht kishin të bënin me, siç thoshin ata, parregullsitë dhe shkeljet e ligjit që është duke i bërë ministri dhe ministria në përgjithësi.

Veç tjerash, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj nuk ka mundur të sqarojë saktësisht se sa është numri i shteteve që kanë njohur deri më tash pavarësinë e Kosovës.

“Sa u takon njohjeve të Ugandës dhe Nigerisë, ne kemi marrë shkresa nga dy presidentët e këtyre vendeve dhe në komunikimin që unë kam pasur me ministrin e Punëve të Jashtme të Ugandës, ai ka thënë që Uganda nuk e ka njohur Kosovën. Kur unë i kam thënë që e kam shkresën e presidentit tuaj, ai më ka thënë që atëherë presidenti ju paska njohur. Por unë një gjë ju premtoj, që në janar të vitit 2014 ne do ta kemi një listë përfundimtare dhe do të trajtohet edhe çështja e këtyre dy njohjeve”, deklaroi Hoxhaj.

Kryetari i komisionit, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkuar një pasqyrë financiare për shpenzimet kapitale që ka bërë kjo ministri, por edhe për ato të pagave dhe mëditjeve.

Kurti tha se edhe pse disa herë janë kërkuar këto dokumente dhe raportime, as më herët dhe as tash nuk janë sjellë para komisionit.

Kurti ka përmendur emrat e disa zyrtarëve të cilët janë duke ushtruar nga dy poste në Ministrinë e Jashtme që sipas tij është shkelje e ligjit. 

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka hedhur poshtë deklaratat se ministria nuk është duke respektuar ligjet.

Nga ana tjetër ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, anëtar i komisionit nga LDK-ja tha se raportimi i ministrit para anëtareve të komisionit është i papranueshëm, pasi që sipas tij, ajo që u dëgjua ishte një konstatim. 

Sido që të jetë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, para komisionit shpjegoi se Kosova gjatë këtij viti është njohur nga 8 shtete, dhe ka lidhur marrëveshje bilaterale me 150 shtete.

Sa i takon marrëdhënieve bilaterale dhe marrëveshjeve diplomatike, Hoxhaj tha se prioritet mbi prioritetet do të jetë anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë