1786215065_zjarret2026.jpg

5 vatra vijojnë të mbeten ende aktive nga 27 që janë raportuar në 24 orët e fundit. 2 të tjera janë në monitorim. Aktiv mbetet zjarri në Vilëz të Kurbinit, por është eliminuar rreziku për kishën, varrezat e banesat, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Situata nuk paraqitet problematike në Cikallesh të Kavajës dhe Dajt e Priskë pasi s’ka rrezik për banesat.

Edhe në Mallakastër, një prej zonave që ka vuajtur më shumë nga zjarret për ditë me radhë, janë vënë nën kontroll vatrat në Panahor–Ndrenie–Vlosh dhe Koilaç–Greshicë/Hekal.

Krujë ku përgjatë dy ditëve zjarrfikësit luftuan me flakë të mëdha, tani ka vetëm vatra të vogla për të cilat ka ndërhyrë një helikopter për shkak të terrenit të vështirë. Megjithatë, nuk ka rrezik për banesat.

Njoftimi:

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë në monitorim.

Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë e FA-së, 4 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në Cikallesh, bashkia Kavajë, vijon puna për eliminimin e vatrave të mbetura, por situata nuk paraqitet problematike dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Dajt dhe Priskë e Madhe, situata po mbahet në monitorim dhe nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Mallakastër, zjarri në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosh është aktualisht nën kontroll. Edhe situata në Koilaç–Greshicë/Hekal është vendosur nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Abaze, bashkia Krujë, zjarri është reduktuar në vatra të vogla dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Në Krastë, për shkak të terrenit të vështirë, operacioni po mbështetet nga ajri me helikopter të Forcës Ajrore; në afërsi të vatrës nuk ka banesa dhe nuk paraqitet rrezik i drejtpërdrejtë për komunitetin.

Në Vilëz, bashkia Kurbin, zjarri vijon aktiv. Ndërhyrja e 2 helikopterëve të FA-së gjatë ditës së djeshme frenoi avancimin e flakëve dhe shmangu rrezikun për kishën, varrezat dhe banesat.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, ndër to në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.

AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe zonave të banuara.