Rritja e interesit dhe besimit të të rinjve ndaj uniformës dhe shërbimit ndaj Atdheut po konfirmohet nga të dhënat më të fundit nga rekrutimet, të cilat dëshmojnë një prirje të qëndrueshme pozitive në raportin mes rinisë dhe Forcave të Armatosura.
Rritja e pagave, konsolidimi i shërbimit ushtarak si një karrierë e denjë dhe afatgjatë, si dhe rikthimi i dinjitetit të uniformës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e besimit dhe motivimit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Këto politika dhe masa konkrete kanë sjellë rezultate të matshme. Vetëm në Fazën I të vitit 2026 janë regjistruar 343 aplikime, duke reflektuar një vazhdimësi pozitive të trendit në rritje të vitit 2025 dhe një interes gjithnjë e më të madh për shërbimin aktiv.
Forcat e Armatosura vijojnë punën për rritjen jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi të komponentit aktiv, duke investuar në përgatitjen profesionale, mirëqenien dhe perspektivën afatgjatë të personelit. Ky zhvillim përbën një tregues të rëndësishëm të ringjalljes së marrëdhënies mes të rinjve dhe institucionit të mbrojtjes, si dhe të forcimit të rolit të Forcave të Armatosura në shërbim të sigurisë kombëtare.

Komente







