DURRES - Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar sot disa nga rezultatet e platformës së shërbimeve bashkëkohore të shëndetësisë elektronike. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i pranishëm në këtë prezantim tha se të gjitha prezantimet synojnë vendosjen e një standardi të ri transparence dhe shkurtim kohe të komunikimit të qytetarëve me hallka të ndryshme të sistemit.

Me miratimin e programit të ri nga fondi i inovacionit, do të mundësohet që në mënyrë ligjore dhe të sigurt do të eleminohen firma dhe vula në shëndetësi. Çdo mjek apo farmacist, me zbatimin e plotë të këtij program, do të ketë një instrument që do ta lidhë në kompjuterin e tij dhe nga ky moment çdo gjë që ai do të nisë do të jetë e firmosur dhe e vulosur dhe do të jetë vetëm e tija. Kjo do të bëjë të mundur të kufizohet pjesa letër dhe do të reduktojë maksimalisht hapësirën që me këto letra të ketë abuzime”, tha Beqaj.
 
Tomi Thomo, drejtori i Përparimit Shëndetësor, Kontrollit të Cilësisë dhe Jetësimit të Prioriteteve në Ministrinë e Shëndetësisë, u shpreh se produkti i shëndetësisë elektronike është informacioni i duhur për vendimmarrje, si përsa i takon situatës shëndetësore, ashtu edhe monitorimit të funksionimit të shërbimit shëndetësor.
 
Lidhur me aplikacionin e-­Barna, Arjan Qoku, drejtori i Drejtorisë së Informacionit dhe Analizës Statistikore në FSDKSH, u shpreh se aplikacioni e­-Barna ka ndryshuar krejtësisht informimin e qytetarëve lidhur me listën e barnave të rimbursueshme. “Me një zgjidhje teknologjike të thjeshtë, pa kosto, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor mundëson aplikacionin e­-Barna që aksesohet nëpërmjet internetit apo edhe telefonave smartphone, falë të cilit, është fare e lehtë të merret informacioni për çdo bar të listës”.
 
Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit SHëndetësor­, Astrit Beci, prezantoi sistemin më të ri në fushën e teknologjisë së informacionit në fushën e shëndetësisë – recetën elektronike. “Receta elektronike është në vetvete gjenerimi, transmetimi, dhe plotësimi i recetave mjekësore, bazuar në infrastrukturën elektronike, duke zëvendësuar përdorimin e recetave letër. Receta elektronike e lejon mjekun të krijojë dhe të transmetojë në mënyrë elektronike një recetë si dhe farmacistin të ekzekutojë në mënyrë elektronike recetën. Ky është një projekt pilot që do të nisë në 18 Qendrat Shëndetësore të Durrësit dhe në 80 farmaci në sistem, dhe përfitues do të jenë rreth 300 mijë banorë të Durrësit. Avantazhi kryesor i recetës elektronike është rritja e transparencës dhe shmangia e abuzimeve me recetat e rimbursueshme”, - tha  Beci.
 
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako i cili tha se ky është një projekt i avancuar në fushën e teknologjisë së informacionit dhe u premtoi qytetarëve të Durrësit që qyteti bregdetar do të jetë lokomotivë e teknologjisë së informacionit pasi kështu rritet transparenca, ulen radhët e gjata dhe mbi të gjitha luftohet hapur korrupsionin.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)