TIRANË- Shkollat nuk do të mbyllen, por do të vihet në zbatim skenari 2! Që do të thotë se nga 1 dhjetori, Komiteti Teknik i Ekspertëve i ka propozuar Ministrisë së Arsimit që të zhvillohet mësim i alternuar, online dhe në klasë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se një vendim i tillë ka ardhur me qëllim minimizimin e përhapjes së COVID, në një kohë që po qarkullon edhe virusi i stinës. Ajo shtoi se shkollat nuk kanë qenë vatër infeksioni dhe kjo është reflektuar dhe në shifra, por gjithsesi kjo është një masë parandaluse.

"Vendosëm që t’i rekomandojmë MASR që, nga data 1 Dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën tradicionale, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin ne distance (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore", tha ministrja e Shëndetësisë.

Referuar analizës së bërë nga OBSH dhe Instituti i Shëndetit Publik, Manastirliu tha se situata paraqitet në një nivel risku të shtuar. Ajo bëri me dije se janë shtuar 270 mjekë dhe infermierë në betejën me COVID, si edhe sot ka mbërritur edhe doza e fundit të vaksinës së gripit.

"Bazuar në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi siguruar vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe sot ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash. Për t’iu përgjigjur nevojave dhe për të mbështetur stafet tona kemi punësuar deri tani 270 profesionistë të shëndetit. OBSH dhe analizën mbi baza dinamike të Institutit të Shëndetit Publik, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar", tha Manastirliu.

Një fund, ministrja e mbylli me një apel duke qenë se përpara janë festat e nëntorit.

"E kuptojmë fare mirë dëshirën për të festuar, aq më tepër Festat e Nentorit. Por këtë vit, këto festa na gjejnë përballë një sfide të shëndetit publik, që ndodh një herë në shekull. Patriot sot është kush qëndron në shtëpi, për të mbrojtur shëndetin e vetes, familjes dhe të afërmve. Do të vijë një kohë kur, ndër fitoret tona më të mëdha do të jete dhe fitorja që arritëm bashkë në betejën për shëndetin", përfundoi ministrja.

Në rast se do të ketë një rritje të madhe të rasteve të reja me COVID, skenari i fundit është ai i mësimit tërësisht online. Ndërkohë, më herët është marrë vendimi që mësim online do të zhvillojnë Universitetet deri në një urdhër të dytë, për shkak të riskut të madh që kishte kjo kategori e njerëzve ka për të përhapur virusin.     

Çfarë parashikon skenari i dytë, pra mësim i alternuar?
Skenari i dytë është që mësimi zhvillohet i kombinuar, një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë. Ora e mësimit do të jetë 25-30 minuta. Mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Koha mësimore që i shtohet çdo mësuesi është afërsisht 2-3 orë mësimi në javë, të cilat mund të paguhen si orë suplementare. Në këtë skenar nuk ndryshon metodologjia e mësimit. Vlerësimi i nxënësit do të bëhet vetëm gjatë kohës që nxënësi është në klasë. 

( Kliko këtu ) Drafti i plotë, për skenaret e shkollave

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Alternimi i mësimit, Basha: Dje thanë nuk do mbyllen, sot propozuan ndryshe! Shqipëria ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme

Propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë për alternimin e mësimit në shkolla nuk ka kaluar pa u komentuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha.

Përmes një postimi në Twitter, ai vendosi në paralelizëm deklaratën e kryeministrit Rama një ditë më parë ku tha se shkollat nuk do të mbyllen pasi nuk janë vatra të rrezikshme, dhe propozimin e sotëm të Ministrisë së Shëndetësisë për alternimin e mësimit.

Basha shkruan se Shqipëria ka nevojë për një qeveri që punon dhe merr vendimet e duhura për njerëzit, jo për qeverinë që çfarë thotë sot nuk e thotë nesër.

Ditën e sotme ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se me udhëzim të Komitetit Teknik të Ekspertëve do i propozohet Ministrisë së Arsimit alternimi i mësimit, 1 javë në klasa dhe 1 javë online.

“Dje Rama deklaroi se nuk ka asnjë arsye për të mbyllur shkollat sepse "fëmijët nuk të infektojnë me koronavirus". Ndërsa sot shpalli mbylljen e pjesshme të shkollave. Rama e ka humbur kontrollin ndaj pandemisë dhe as që ia ka idenë se çfarë duhet bërë. Rama nuk ka asnjë plan. Dhe pa plan, nuk mund ta fitosh luftën kundër pandemisë. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që punon dhe merr vendimet e duhura për njerëzit, jo për qeverinë Rama që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër!” – shkruan Basha.

Rama nuk ka asnjë plan. Dhe pa plan, nuk mund ta fitosh luftën kundër pandemisë. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që punon dhe merr vendimet e duhura për njerëzit, jo për qeverinë Rama që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër!

— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) November 25, 2020