TIRANË- Situata e epidemisë së COVID në Shqipëri është përkeqësuar në raport me javët e kaluara por po mbahet në kontroll. Ka qenë ky lajmi që ka dhënë sot në konferencën e radhës për shtyp, Komiteti Teknik i Ekspertëve.  

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, ka deklaruar se ka një rëndim të shifrave pasi incidenca është rritur në 301 persona për 100.000 banorë. Ndërkohë që zv. ministrja e Shëndetësisë Rakacolli tha se ka një rëndim të lehtë por situata është në kontroll. Në konferencën e sotme nga zv. ministrja Rakacolli bëri me dije se mësimi në universiteti do të vijojë online për një periudhë tjetër pa afat.

Ajo gjithashtu nënvizoi se ka bërë me dije se nuk ka asnjë arsye që qytetarët të shqetësohet për mungesë të kapaciteteve spitalore, pasi të gjitha janë të llogaritura mjaft mirë. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Brataj pranoi se koha e pritjes së qytetarëve pasi marrin në telefon urgjencën për të bërë tamponin është rritur kjo për shkak të rritjes së numrit të rasteve.

daljen e kaluar për mediat Komiteti Teknik i Ekspertëve njotoi masat shtesë për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Shqipëri. Prej një jave në Shqipëri janë ndaluar grumbullimet me më shumë se 10 personave në vende të hapura dhe të mbyllura si dhe ndaluar mbledhjet partiake dhe tubimet. Gjithashtu ndalohen konferencat, ceremonitë e festave dhe ceremonitë martesore. Ndërsa për ceremonitë mortore lejohet vetëm familja. Këto masa mbesin në fuqi deri në një urdhër të dytë.

Kujtojmë se dy ditët e fundit kemi pasur një rënie të lehtë të rasteve por serish situata është shqetësuese. Dje u regjistruan 565 raste të reja dhe  14 humbje jete. 

VIDEO/Deklarata e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:41
Ç'do të ndodhë me shkollat në këtë moment të rritjes së infektimeve me COVID? Përgjigjet zv. ministrja Rakacolli (VIDEO)

Gjatë konferencës për shtyp të Komitetit Teknik të Ekspertëve, drejtuesja e këtij komiteti, zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli u pyet edhe në lidhje me ndonjë vendim të mundshëm për mbylljen e shkollave duke qenë se situata me shifrat e epidemisë në vend po përkeqësohet.

“Sa i përket shkollave Komiteti e ka vëmendjen tek mirëqenia  e fëmijëve. incidenca nuk është rritur prej shkollave. Në bazë të shifrave do të shikojmë se ç'do të bëjmë.

I kemi monitoruar veçanërisht shkollat që nga 14 shtatori. Nuk kemi parë ndonjë ndikim të rëndësishëm në shifrat e pandemisë nga hapja e shkollave. Në shifrat aktuale, nuk diskutohet mbyllja e sistemit parauniversitar", tha Rakacolli.

Ora 10:36
Situata e COVID/ Brataj: Numri i telefonit që duhet të merrni nëse nuk kemi mundësi kontakti me mjekun e familjes (VIDEO)

0800 40 40 është numri ku çdo qytetar duhet të marrë në celular në momentin që nuk ka mundësi që të komunikojë me mjekun e familjes dhe ka shfaqur simptomat e COVID.

"Nëse nuk mund të komunikoni me mjekun e familjes 0800 40 40 dhe ne i gjejmë mundësinë që të gjejmë sistemin e referimit për shërbimit që i duhet", tha Brataj në mbledhjen e përjavshme të Komitetit Teknik të Ekspertëve. 

Ora 10:32
Shtimi i rasteve ditore me COVID/ Brataj e pranon: Koha e pritjes për qytetarët për të bërë tamponin është rritur (VIDEO)

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka sqaruar se për shkak të rasteve të shumta koha e pritjes për qytetarët për të bërë tamponin është rritur, teksa ka listuar dhe arsyet.

"Koha e pritjes për qytetarët është rritur, për disa arsye. Duke ditur që kryejmë 463 vizita, por ka dhe një procedurë ku nga këto janë 146 për COVID, ekipet duhet të vishen dhe të shkojnë drejt pacientëve dhe triazhimi bëhet mbi bazën e gjendjes së një pacienti. Është një kontroll mjekësor, i thuhet qytetarit "nëse ka një përkeqësim njofto menjëherë" sepse menaxhimi bëhet nga prioriteti i përkeqësimit të sëmundjes", tha Brataj.

Ora 10:31
Rakacolli- qytetarëve: Asnjë frikë për mungesë të kapaciteteve spitalore! I kemi llogaritur (VIDEO)

Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka bërë me dije se nuk ka asnjë arsye që qytetarët të shqetësohet për mungesë të kapaciteteve spitalore, pasi të gjitha janë të llogaritura mjaft mirë.

"Nuk duhet të kemi asnjë shqetësim për pakësim të kapaciteteve spitalore, janë të gjitha të kalkuluara me aq sa mund të kalkulohet. Jemi të kalkuluar që të shfrytëzojmë në maksimum burimet njerëzore dhe spitalore, nuk duhet të kemi frikë që kapacitete spitalore nuk do të mjaftojnë për të gjithë ata që kanë nevojë për t'u trajtuar me COVID. Asnjë frikë për mungesë të kapaciteteve spitalore", tha Rakacolli.

Ora 10:25
Brataj: Pacientët që shërohen shoqërohen me ambulancë në shtëpi, s'ka nevojë të gjejnë mjete transporti (VIDEO)

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka bërë me dije se kryehen rreth 463 vizita në banesë, ku 46% e tyre përfundojnë në spital.

"Vazhdon numri i vizitave në banesë 463 në 24 orëve të fundit, janë rreth 46% e tyre që përfundojnë në spital. Pacientët që shërohen shoqërohen me ambulancë. Nuk ka nevojë që të gjejnë mjete transporti", tha Brataj.

Ora 10:25
Rakacolli: Mësimi në universitete do të vijojë online deri në një urdhër të dytë (VIDEO)

Mësimi online do të vijojë edhe për një periudhë tjetër pa afat. Lajmi është bërë i ditur nga Komiteti Teknik.

"Ka në rëndim të lehtë të situatës, por është në kontroll. Mësimi në universitete do të vazhdojë online edhe për një periudhë në varësi të njoftimit që do të bëjmë", tha zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Ora 10:20
COVID/ Drejtoresha e ISHP, Albana Fico: Incidenca 14-ditore është e rritur (VIDEO)

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico, bëri me dije shifrat e ndryshuara të ditëve të fundit, duke nënvizuar një përkeqësim të situatës.

"Situata paraqitet në një nivel risku të shtuar. Incidenca 14-ditore rezulton e rritur në 301 persona për 100. 000 banorë.  Mesatarja ditore për rastet pozitive është 704 për javën që lamë pas. Raporti i vdekjeve me rastet pozitive është 2.1 përqind. Femrat të prekura kemi 52% dhe meshkuj 48%.

Numri i testimeve është nga targeti 1 për 1000 banorë në javë kemi kaluar në 5.8 në 1000 banorë. Kjo situatë kërkon respektimin e masave", tha Fico.