Aktualisht, në vendin tonë autoritetet raportojnë se nuk ka asnjë shpërthim fruthi në kopshtet publike apo private.
E pyetur nga Report TV, Ministria e Shëndetësisë thotë se rasti i vetëm është regjistruar rreth një muaj më parë në një kopsht privat në Tiranë, ku u konfirmuan 8 fëmijë të prekur nga fruthi.
Sipas Ministrisë, fëmijët u izoluan menjëherë në momentin e identifikimit të rasteve dhe morën trajtimin e nevojshëm.
Ndërkohë më herët në muajin dhjetor 2025, shefja e programit të vaksinimit në ISHP, Rovena Daja, ka deklaruar se rastet e konfirmuara me fruth në vendin tonë gjatë vitit 2025 janë në total 18. Ajo deklaroi atëherë për Report TV se këto raste ishin sporadike dhe jo situatë për t’u shqetësuar.
“Në kalendarin tonë të vaksinimit, fruthi aplikohet me dy doza. Doza e parë në moshën 1 vjeç dhe doza e dytë në moshën 5 vjeç. Për shkak të uljes së mbulesës vaksinale me dy doza, nga 95% sipas OBSH, ne e kemi në vitet e fundit 92%. Dhe ulja e kësaj mbulese vaksinale ka çuar në raste sporadike me fruth. Në momentin që nuk i vaksinoni fëmijët në kohë, rriskoni të infektohen me fruth”, u shpreh në 18 dhjetor 2025 Rovena Daja, epidemiologe në ISHP.
Komente












