Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale e drejtuar nga Spiro Ksera kryente pagesat për aktivitetet e zhvilluara pa i justifikuar me fatura, madje dhe duke dhënë si provë vente të zhvilluara në vende të tjera nga ajo që ishte përcaktuar. Nën këtë akuzë Prokuroria e Përgjithshme ka ndaluar ish-ministrin Ksera i akuzuar për përfshirjen në vjedhje për 30 milionë lekë. Burimet kanë bërë të ditur se mungesa e faturave dhe e zhvillimit të eventeve është parë në të paktën dy raste.

Minoritetet
Në raportin e Prokurorisë nënvizohet se Ministria ka shpenzuar 9.6 milionë lekë për një aktivitet mbi minoritetet por pa i bazuar në fatura. 
Bëhet fjalë për eventin  “Prioriteti i minoriteteve-Barazi në të drejta”. Pretendohet të jetë zhvilluar nga data 27 qershor deri më datë 03 korrik të vitit 2013. Aktiviteti është zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës dhe në zonën e Dropullit të Poshtëm dhe kishte synim promovimin e vlerave të minoriteteve në Shqipëri. Në dosjen e verifikuar prej prokurorisë pretendohet të jetë realizuar hapja e një ekspozite me relike, botime, kujtime, etj, nga personalitete të minoriteteve të ndryshme. Gjithashtu në këto 7 ditë janë organizuar konferenca, dreka dhe darka për 70 persona si dhe akomodimi në hotel për 32 persona. “Sipas urdhër shpenzimit dt.11.07.2013, rezulton se, për zhvillimin e këtij aktiviteti janë shpenzuar 9.600.000 lekë me tvsh.

Në dosje gjendet një raport përmbledhës, i cili është nënshkruar nga Kleves Bitro dhe Artevis Mene, fature tatimore, urdhër shpenzimi, situacion, raport përmbledhës, një kopje posteri e ftesë, si dhe një DVD. Pamjet e kësaj DVD pasqyrojnë zhvillimin e një aktiviteti të kryer më dt.09.03.2013, në nder të ish-futbollistit Lefter Millo (disa pamje pasqyrojnë aktivitete të zhvilluara në ambientet e MPÇSSHB. Nuk gjenden në dosje fatura të cilat të justifikojnë shpenzimet e kryera për këtë aktivitet lidhur me fjetjen në hotel, drekat dhe darkat, posterat dhe fletëpalosjet etj)”, mësohet se citohet në argumentet e prokurorisë.

Njihni romët
Rasti i dytë i abuzimit është aktiviteti mbi romët. Bëhet fjalë për ktivitetin “Kapërceni paragjykimet- Njihni romët”, zhvilluar sipas dokumentacionit nga data 28 qershor deri më datë 1 korrik 2013. Në aktivitetin që duhej të mbahej në Tiranë ishte parashikuar mbajtja e një panairi ndërkulturor të artizanëve romë, konferenca dhe seminare. Në verifikimet e prokurorisë rezulton se në dosje panairi pretendohet të jetë shtrirë në një sipërfaqe 500 m2, në një zonë jashtë  Tiranës dhe është pajisur me stenda, tavolina ekspozuese, çadra etj. “Sipas urdhër shpenzimit dt.11.07.2013, rezulton se, për zhvillimin e këtij aktiviteti janë shpenzuar 4.356.000 lekë me tvsh. Në dosje gjendet një raport përmbledhës, i cili është nënshkruar nga Kleves Bitro dhe E. D., faturë tatimore, urdhër shpenzimi, situacion, raport përmbledhës, një kopje posteri e ftesë, si dhe një DVD”, mësohet se argumenton raporti i prokurorisë.

Ndërkohë që rezulton se në DVD është regjistruar një tjetër aktivitet. “Nga kqyrja që i bëhet pamjeve të DVD, rezulton se, ato pasqyrojnë të tjera aktivitete, të cilat janë zhvilluar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, si konkretisht “Me romët- Për romët”, zhvilluar në Prill të vitit 2013 etj. Këto aktivitete janë mbështetur dhe financuar nga organizma ndërkombëtare (PNUD SHQIPERI) dhe jo nga ish MPÇSSHB. Në raportin përmbledhës janë pasqyruar aktivitetet që janë zhvilluar në kuadër të këtij eventi. Fotot e DVD pasqyrojnë zhvillimin e aktiviteteve, por që nuk përkojnë me datat në të cilat pretendohet të jenë zhvilluar aktivitetet e këtij eventi. Prsh, pretendohet se, më dt.01.07.2013 në orën 20:00 deri 20:45, “trupa e të rinjve të komunitetit rom me pjesëmarrjen dhe të studenteve të akademisë së arteve realizuan dramën “Të mjerët”. Rezulton që kjo drame është shfaqur më dt.11 prill 2013 në orarin 19:00-21:00 dhe është zhvilluar në kuadër të  Javës Ndërkombëtare të Romëve organizuar nga PNUD Shqipëri. Sipas cd-ve dhe dvd-ve të administruara nga subjekti Shpresa shpk, rezulton se janë ndërhyrë dhe nëpërmjet montazhit në fotot për këtë aktivitet duke e pasqyruar si një aktivitet të organizuar nga Shpesa. Nuk gjenden në dosje fatura të cilat të justifikojnë shpenzimet e kryera për këtë aktivitet”, mësohet se argumenton prokuroria.

Dëshmia e Drejtoreshës: Ministri urdhëronte dhe cilat familje do ftoheshin në aktivitete
Procedimi penal ndaj ish ministrit Ksera dhe vatësve të tij është regjistruar pas kallëzimit penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe adminsitrimit të akviteteve që rezultojnë se janë zhvilluar gjatë vitit 2013 nga Ministria e Punës Çështjeve Sociale. Në bazë të hetimeve të prokurorisë rezulton se me shkresën dt.11.04.2013, Drejtoresha e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, dhe Drejtoria e Monitorimit të Strategjive Ndërsektoriale  i drejtohen Ministrit Spiro Ksera, duke i kërkuar miratimin, për organizimin e “Ditëve të eventeve të Shërbimeve Sociale”. Është parashikuar organizimi i gjashtë eventeve, të cilat do zhvilloheshin në datat 27 qershor deri 11 korrik të vitit 2013.

“Konkretisht parashikohej të zhvilloheshin aktivitetet: 1-“Prioriteti i minoriteteve-Barazi në të drejta”; 2- “Kapërceni paragjykimet-Njihni romët”; 3-“Ne sfidojmë të gjithë sëbashku”; 4-“Të ndryshëm por të barabartë”; 5-Përfshirje sociale-Drejtësi sociale” dhe 6-“Mosha e tretë vlerë për shoqërinë”, thuhet në argumenet e prokurorisë. Kërkesa parashikon mënyrën dhe kohën e zhvillimit të eventeve dhe detaje specifike. Po ashtu propozohet kontraktimi i një kompanie të specializuar, për përcaktimin e specifikimeve teknike. Projekti është miratuar nga Ministri Ksera i cili tashmë është nën hetim. Ksera ka urdhëruar edhe komisionin e blerjeve të vogla, të fillojë procedurat për kontraktimin e operatorit. Gjithashtu mësohet se Ksera ka kërkuar një liste aktivitetesh në lidhje me programin e mbrojtjes sociale për të gjitha institucionet që mbuloheshin nga politikat sociale.

Fillimisht është bërë një listë me disa aktivitete të cilat lidhen me fëmijët në nevojë, me moshën e tretë. “Personi nën hetim  ka kërkuar në vazhdimësi që të rishikohet lista e aktiviteteve duke bëre nga ana e tij një përzgjedhje të aktiviteteve të kërkuara nga drejtoria përkatëse, një nga të cilat kishte  të bënte me fëmijë të familjeve në skemë të ndihmës ekonomike  dhe tjetri me moshën e tretë…. Nga lista e përgjithshme e aktiviteteve, titullari i institucionit (personi nën hetim) ka kërkuar verbalisht që këto aktivitete të zhvillohen në Komuna të përcaktuara prej tij, duke përcaktuar numrin e fëmijëve që do të përfshiheshin, duke përzgjedhur zonat  dhe e njëjta gjë ka ndodhur me aktivitetin për të moshuarit, ku ai ka përzgjedhur Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë me përfituesit e të cilës është zhvilluar aktiviteti”, mësohet se argumenton prokuroria.

Gjithashtu mësohet se sipas deklarueses I.B., ajo ka plotësuar një kërkesë bashkë me D. S, kërkesë  një kopje të së cilës e ka vënë në dispozicion të organit procedues. “Konstatohet se datat e ushtrimit të aktivitetit janë ndryshuar dhe në kopjen e kësaj shkrese të sekuestruar nga organi procedues datat nuk janë të njëjta me ato të paraqitura në kopjen e dokumentit të paraqitur nga deklaruesja.  Sa më sipër rezulton të jenë falsifikuar përmbajtja e kërkesës e bërë nga I. B. dhe D. S. lidhur me datat e ushtrimit të këtyre aktiviteteve dhe të dhëna të tjera”, mësohet se thuhet në raportin e organit të akuzës.
 
Kleves Bitro
Ish shefi i Kabinetit të ministrit Ksera, Kleves Bitro rezulton të ketë firmosur në të paktën dy prej projekteve për të cilat akuzohet Ksera. Tashmë Bitro është i dënuar për një tjetër rast abuzimi nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve
 
Akuzat
Aktivitetet me shkelje
1-“Prioriteti i minoriteteve-Barazi në të drejta”; 
2- “Kapërceni paragjykimet-Njihni romët”; 
3-“Ne sfidojmë të gjithë sëbashku”; 
4-“Të ndryshëm, por të barabartë”; 
5-Përfshirje sociale-Drejtësi sociale” 
6-“Mosha e tretë, vlerë për shoqërinë”.
 
 
“Prioriteti i minoriteteve-Barazi në të drejta”, janë shpenzuar 9.600.000 por pa fatura
 
“Kapërceni paragjykimet- Njihni romët”: janë shpenzuar 4.356.000 lekë, por aktiviteti nuk është i njëjtë me atë në projekt
 
Ministri ka bërë një përzgjedhje të aktiviteteve të kërkuara nga drejtoria përkatëse, një nga të cilat kishte  të bënte me fëmijë të familjeve në skemë të ndihmës ekonomike  dhe tjetri me moshën e tretë….
Ministri ka kërkuar verbalisht që këto aktivitete të zhvillohen në Komuna të përcaktuara prej tij,