Pas rreth gjashtë vitesh në arrati, një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar në Athinë për vrasjen e dyfishtë që tronditi zonën e Loutrakit në Greqi në tetor të vitit 2020. Sipas mediave greke, shqiptari dyshohet se vrau me sëpatë ish-partneren e tij, një 43-vjeçare nga Ukraina, dhe të dashurin e saj 42-vjeçar, me profesion farmacist.

Krimi u zbulua më 11 tetor 2020, kur trupat e dy viktimave u gjetën në një shtëpi pushimi në zonën Flambouro të Korinthit. Të dy ishin goditur disa herë me sëpatë, ndërsa autori i dyshuar ishte zhdukur pa lënë gjurmë.

Pas hetimeve që zgjatën rreth gjashtë vite, policia greke arriti të gjente vendndodhjen e 44-vjeçarit, të njohur me emrin “Nikos”. Ai u arrestua gjatë një operacioni në zonën e Patisias në Athinë, ku fshihej duke përdorur dokumente të falsifikuara identifikimi.

Gjatë kontrollit në apartamentin e tij, efektivët gjetën një pistoletë dhe të paktën një granatë. Sipas medias greke Newsbeast, nuk përjashtohet mundësia që shqiptari të ishte duke përgatitur një tjetër sulm, nisur nga armët që iu gjetën.

44-vjeçari nuk arriti të bënte rezistencë kur efektivët e Departamentit të Vrasjeve ndërhynë për ta arrestuar. Ndaj tij po përgatitet dosja penale për vrasjen e dyfishtë të vitit 2020.