Si iu dha kompanisë private
Ministria e Kulturës në një komunikim zyrtar me Report TV e Shqiptarja.com ka shpjeguar procedurën se si i është dhënë objekti brenda Parkut Arkeologjik të Butrintit kompanisë private. Sipas asaj që thotë vetë ministria ka qenë fillimisht kërkesa e vetë kompanisë Hako shpk që ka qenë e interesuar. Po sipas ministrisë së Kulturës, pasi kjo kërkesë është shqyrtuar nga sktruktuat e saj i është dhënë godina pas asnjë konkurrim. “Me kërkesën e protokolluar në Ministrinë e Kulturës me nr.95, datë 10.1.2017 shoqëria HAKO shpk riparaqet pranë ministrisë kërkesën e saj për marrjen në përdorim të një godine në Qytetin Antik të Butrintit me qëllim krijimin e një Qendre Multifunksionale Shërbimesh… Grupi negociator me memo nr.prot.3403/1, datë 25.05.2017 ka propozuar miratimin e kërkesës, e cila është miratuar me Urdhër të Ministrit për miratimin e kërkesë së HAKO shpk nr.289, datë 26.05.2017. Në vijim të këtij Urdhri është lidhur kontrata e Enfiteozës për Krijimin dhe Funksionimin e Qendrës Multifunksonale të Shërbimeve në Parkun Kombëtar të Butrintit e nënshkruar me Nr. 3681 Prot., Datë 2.06.2017”, thuhet ndër të tjera nga Ministria e Kulturës.
Sipërfaqja jo 116 m2, por 221 m2
Në fakt Ministria e Kulturës në një komunikim zyrtar me Report TV e Shqiptarja.com ka deklaruar se sipërfaqja e objektit që ia ka dhënë me qira kompanisë private është veçse 116 metra katror. “Objekti në fjalë është një përshtatje e ngrehinës ekzistuese, të ndërtuar në Butrint në vitet 1975 dhe mbulon një sipërfaqe prej 116m2 (objekt+platforma e verandës)” Por ky argument i dhënë nga Ministria e Kulturës hidhet poshtë nga raporti zyrtar i Prokurorisë së Sarandës. “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u konstatua se në krahun lindor të Kalasë në një objekt një katësh ekzistues i ndërtuar me mur guri dhe i mbuluar me soletë betoni, po kryeheshin ndërtime rehabilitimi të këtij objekti. Objekti ishte me tre ndarje me përmasa 16x4m dhe para objektit ka shesh pushimi të shtruar me beton dhe mbi këtë shesh pushimi ka të vendosur tulla, betoniere, fuçi me ujë, kova, çimento dhe një togë me inerte. Objekti është pa dyer dhe pa dritare, shesh pushimet para objektit kanë përmara 16x7m dhe 15x3m të shtruar me beton dhe në krahun jugor të objektit ka të sistemuar tjegulla në formë harku”, shkruan në raport oficeri i policisë gjyqësore, pas verifikimit në terren më datë 3 tetor 2017. Pra po të llogaritësh përmasat e objektit që jep raporti del se objekti vetë me përmasa 16x4m ka sipërfaqe 64 metra katror, ndërsa sheshet janë: i pari 16 x 7m = 112 metra katror dhe i dyti 15 x 3m = 45 metra katror. Si përfundim shuma e gjithë sipërfaqes del 64m + 112m + 45m = 221 metra katror.
Shkelje e VKM-së së Qeverisë Rama
Ministria e Kulturës me vendimin që ka marrë për të proceduar pa konkurrim këtë kontratë qeradhënie ka shkelur një nga vendimet e marrë nga Qeveria Rama në 2014. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 54, datë 5.2.2014 "Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, emfiteoze apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore", të ndryshuar, specifikohen qartazi se cila kategori përjashtohet nga procesi i konkurrimit. Në pikën 5 të kësaj VKM-je thuhet: Përjashtohen nga konkurrimi: a)dhënia me qira e sipërfaqeve deri në 200 m2, të cilat jepen me afat deri në 1 vit; Pra duke qenë se këtu kemi të bëjmë me një sipërfaqe mbi 200 metra katror atëhere qartazi ka shkelje ligjore.
Prokuroria vijon hetimet
Nga sa mësohet prej burimeve të Shqiptarja.com Prokuroria e Sarandës po vazhdon të hetojë mbi parregullsitë e shfaqura në ndërtimin brenda parkut të Butrintit. Sipas burimit të sipërpërmendur Prokuroria po pret që t’i vihet në dispozicion leja e ndërtimit që i është dhënë kompanisë private nga ana e Ministrisë së Kulturës.
dy.b/shqiptarja.com