Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përshëndeti konferencën “Business 2030 – A Sustainable Future Made in Albania”, e organizuar nga UNDP Albania, Ambasada e Suedisë dhe institucione të tjera ndërkombëtare dhe shqiptare.
 
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se biznesi është aktori kryesor për arritjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe për integrimin e plotë në tregun e përbashkët europian. 
 
 Ibrahimaj vuri në dukje se qëndrueshmëria nuk është më një koncept abstrakt, por një nevojë operative për bizneset shqiptare, pjesë e një rrugëtimi vendimtar drejt konkurrueshmërisë dhe integrimit në BE.
 
“Qëndrueshmëria dhe inovacioni janë thelbësore për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë unik: traditat, mjeshtëria artizanale, kultura, prodhimet autentike dhe kreativiteti i të rinjve. Këto janë asetet që duhet të mbrojmë dhe zhvillojmë me përgjegjësi, duke i bërë të qëndrueshme dhe konkurruese në tregjet globale”, deklaroi  Ibrahimaj.
 
Ministrja theksoi rëndësinë e zbatimit praktik të ligjeve dhe standardeve që Shqipëria ka miratuar për integrimin në BE, duke i konsideruar si detyra konkrete për të gjithë aktorët e ekonomisë dhe biznesit.

“Jemi në një moment vendimtar. Rruga është e qartë dhe po ecim shpejt, me ambicie të larta. Hapja e kapitujve të negociatave tregon se standardet dhe politikat që qeveria është përgjegjëse të zbatojë, nuk janë vetëm ligje formale, por detyra konkrete që na angazhojnë të gjithëve për zbatim real në terren”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj njoftoi gjithashtu lancimin e një programi gjithëpërfshirës për përgatitjen e biznesit shqiptar për tregun e përbashkët europian, që do të detajohet në tremujorin e parë të vitit 2026.

“Kemi nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse, që përfshin analizën e çdo sektori, modernizimin e proceseve, rritjen e standardeve dhe përgatitjen e të rinjve për nevojat e tregut. Inovacioni dhe digjitalizimi janë kyç për arritjen e këtyre objektivave”, shtoi Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se bashkëpunimi dhe zbatimi i planit të punës së detajuar janë çelësi për kthimin e sfidave në sukses dhe për forcimin e pozicionit të Shqipërisë në zinxhirët e vlerës europiane.
 
Konferenca përfshin panele të dedikuara për sektorët kryesorë të ekonomisë, financimin dhe angazhimin e rinisë, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis qeverisë, institucioneve financiare, biznesit dhe akademisë.