TIRANE - Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar ndaj deklaratës së Partisë Demokratike, lidhur me akuzat e kësaj të fundit se policia e shtetit ka dështuar. Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Brendshme, thekson se akuzat dhe dokumentat e nxjerra nga zyrat e SHQUP-it, vetëm sa dëshmojnë shtimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së policisë ndaj qytetarëve.

Gjithashtu ministria, nënvizon se kur në kohën që ishte në pushtet PD, publiku njihej çdo ditë me skandale korruptive që dilnin nga zyrat e shtetit dhe deri tek familja kryeministrit. Sipas Ministrisë, ky është edhe dallimi mes dy qeverive.

Më poshtë komunikata e plotë për shtyp e Ministrisë së Brendshme:

Ministria e Punëve të Brendshme siguron qytetarët për angazhimin e palëkundur në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të çdo lloji, si dhe vullnetin e fortë për t’u shërbyer vetëm qytetarëve dhe interesit publik.  

Dokumentet e publikuara sot nga zyrat e SHQUP-it janë urdhra të brendshëm pune që dëshmojnë vetëdijen e institucionit dhe drejtuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë për të reformuar në vazhdimësi shërbimin e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve. Ne punojmë për të rritur standartin e shërbimit dhe për të vënë Policinë e Shtetit në shërbim të qytetarëve.

Është kjo arsyeja që sot SHQUP-i është katandisur të nxjerrë në publik dokumenta pune që dëshmojnë shtimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së Policisë, në përmbushje të interesit më të lartë të qytetarëve.

Ndërkohë që kur ishin vetë në qeverisje, publiku njihej vetëm me skandale, praktika korruptive dhe interesa të paligjshme private që dilnin nga zyrat e shtetit dhe përfundonin tek adresa e familjarëve të Kryeministrit.

Ky është dallim shumë i madh, të cilin qytetarët e kanë kuptuar, qoftë dhe nga letrat që tundi sot SHQUP-i në konferencë për shtyp.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)