Ministrja e Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska ka përsëritur veprimin e saj ndaj gazetarëve e politikanëve shqiptarë për të folur maqedonisht.

Gjatë një daljeje publike për ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë, Janevska vazhdimisht kërkonte nga profesorët dhe drejtuesit e Universitetit të Tetovës që të flisnin maqedonisht, sepse ajo nuk arrinte t’i kuptonte, edhe pse e kishte të qartë paraprakisht se kishte shkuar në debat me një universitet ku flitej gjuha shqipe.

Edhe pse gazetarët ia kthyen se ajo duhet të kishte marrë përkthyes me vete, Janevska tha se gjuha zyrtare në vend është maqedonishtja.

-A mendoni se herën tjetër duhet të merrni përkthyes me vete për ta kuptuar gjuhën shqipe?

Vesna Janevska: Maqedonia e Veriut ka një gjuhë zyrtare dhe një tjetër që e flasin komunitetet. Unë ndodhem në Tetovë ku flitet gjuha shqipe, unë nuk duhet të kem përkthyes, ju duhet ta dini gjuhën maqedonase. Unë pak kuptoj, por që mos të gaboj në përkthim, ju lutem që të më përktheni në mënyrën më të kultivuar.

-Herën tjetër kur të vini në Tetovë duhet të merrni një përkthyes, ua detyron ligji.

Vesna Janevska: Nuk më detyron ligji. A doni të flasim për ligjin dhe ta prishim ngjarjen e bukur për të cilën kam ardhur? Ju faleminderit!

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është një gjuhë komuniteti, siç pretendon ministrja, por gjuhë zyrtare e garantuar me ligj.

Në një rast tjetër ajo i kërkoi kryetarit të Tetovës, Bilal Kasamit, të fliste maqedonisht sepse nuk e kuptonte, por ky i fundit vijoi komunikimin në gjuhën shqipe.

Në dhjetor të vitit 2024, Janevska paralajmëroi masa ndëshkimore kundër shkollës fillore “7 marsi” në Çellopek pas raportimeve se nxënësit u veshën me uniforma të UÇK-së.