Hapet burgu i ri në Shkodër, ku do të izolohen të dënuarit VIP. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin, kanë inauguruar dje burgun e Reçit, në të cilin janë investuar 14.3 milion euro nga Bashkimi Europian. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në fjalën e saj theksoi se hapja e këtij institucioni do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në uljen e fenomenit të mbipopullimit në sistemin e burgjeve, çka është aktualisht një nga problematikat më të mprehta në sistemin penitenciar.

Sipas ministres Gjonaj përmirësimi i infrastrukturës është një shtyllat kryesore të reformës në burgje dhe për këtë arsye Qeveria ka rritur me 10% nivelin e investimeve që do të realizohen gjatë vitit 2018, duke e çuar kështu në 470 milionë lekë buxhetin e investimeve.

Duke folur për reformën në sistemin penitenciar Ministrja e Drejtësisë u shpreh reforma në sistemin penitenciar, si pjesë e rëndësishme e reformës së madhe në drejtësi që ne kemi ndërmarrë me shume sukses është në drejtimin e duhur.

“Synimi është krijimi i një sistemi penitenciar të sigurt, profesional, larg ndikimeve politike, në respekt të të drejtave të njeriut dhe sigurisht që t’i përshtatet kërkesave të kohës për të qenë në lartësinë e duhur për rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri”, tha ministrja. Një tjetër drejtim i rëndësishëm i reformës në të cilin është ndalur ministrja Gjonaj janë edhe masat antikorrupsion brenda sistemit të burgjeve. Sipas saj një numër i lartë punonjësish të policisë së burgjeve janë kallëzuar penalisht në rastet kur janë adresuar raste të ankesave për korrupsion ashtu si dhe në rastet e hetimeve proaktive për mitmarrje dhe favorizim të të burgosurve.

Në rrethet mediatike është aluduar se ky burg do të presë peshqit e mëdhenj të korrupsionit dhe krimit. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kur u pyet për këtë çështje, disa muaj më parë, u shpreh se këtë do ta vendosë gjykata.

“Ky burg do të jetë si të gjithë burgjet e tjera. Për sa kohë që do të ketë një seksion të sigurisë e lartë dhe një tjetër të sigurisë së zakonshme. Gjykata do të vendosë nëse do ta sjellë në Shkodër në seksion të sigurisë së  lartë, apo në seksion të  sigurisë së zakonshme” , deklaroi ministrja e Drejtësisë Gjonaj.

Romana Vlahutin

Nga ana e saj ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin u shpreh sundimi i ligjit është në thelb të mbështetjes që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë.

“Sundimi i ligjit është në thelb të partneritetit dhe dialogut tonë politik dhe është po aq në qendër të mbështetjes që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë. Është në thelb të asaj që qytetarët shqiptarë kërkojnë nga autoritetet. Kjo strukturë është një shembull i shkëlqyer se si bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe fondeve kombëtare të Shqipërisë kanë bërë të mundur një projekt të tillë, një institucion të standardeve evropiane, i cili do të mundësojë mbrojtjen më të mirë të dinjitetit njerëzor të të burgosurve”, pohoi Vlahutin.

Burgu i ri në Reç të qarkut Shkodër plotëson të gjitha kushtet dhe standardet e trajtimit të personave të paraburgosur dhe të dënuar. Ato i përafrohen standardeve të Bashkimit Evropian, në lidhje me akomodimin, sistemet e ngrohjes, regjimin e aktiviteteve ditore, aktiviteteve sociale, kulturore, edukimit, si dhe atyre sportive. Gjithashtu ky institucion ka në dispozicion ambiente për reparte pune për punësimin e të burgosurve, kushte bashkëkohore të kuzhinës, lavanderisë, ambiente të kujdesit shëndetësor, si ndihma e shpejtë, urgjencë, farmaci.

Burgu i ri

Hapet burgu i ri në Shkodër, ku do të izolohen të dënuarit VIP. Burgu është inauguruar dje nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin.

Të dënuarit me masë mjekësore “mjekim i detyruar”, të cilët aktualisht ndodhen në burgun e Zaharisë në Krujë si dhe në Spitalin e Burgut në Tiranë, do të transferohen në burgun e Lezhës, ku dy godina të këtij institucioni do të rikonstruktohen dhe do të përshtaten me të gjitha kushtet e nevojshme mjekësore për trajtimin e kësaj kategorie të dënuarish. Skema e re, që do të zgjidhë një problem të hershëm dhe shumë të rënduar për rreth 250 të dënuar, është prezantuar sot gjatë një tryeze të përbashkët midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, gjyqtarëve, avokatëve si dhe shoqërisë civile. Zgjidhja e problemit të të dënuarve me masa mjekësore ka qenë një nga rekomandimet kryesore të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), por edhe në fokusin e organizatave brenda vendit që monitorojnë situatën në burgje.