Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha sot gjatë një takimi më aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend për të promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga Qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tëndë”, se në vitin 2025, në Shqipëri kanë hyrë 5 miliardë euro vetëm nga shërbimet e turizmit.

Ibrahimaj theksoi gjithashtu se nga viti në vit ka pasur një rritje të numrit të turistëve në Shqipëri, ç’ka çon sipas saj edhe në futjen nga jashtë të flukseve më të mëdha të të ardhurave.

“Në vitin 2025 në bilancin e pagesave, para të llogaritura të hyra në vend, të matura nga Banka e Shqipërisë janë mbi 5 miliardë euro vetëm nga shërbimet e turizmit. Ndërkohë që nga remitancat, nga investimet e huaja direkte, kemi pasur rritje të të hyrave. Janë rritje të flukseve që futen në vend”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.

Më tej Ibrahimaj, duke iu referuar sekuestrimeve apo konfiskimeve të pasurive kriminale nga SPAK tha se kjo është arritur falë fuqizimit të institucioneve shqiptare, gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu se disa qindra milionë euro të sekuestruara nga SPAK, janë shumë pak krahasuar me 8.5 miliardë euro që kanë hyrë vitin e fundit në vendin tonë.

Prandaj sipas saj, forcimi i lekut kundrejt euros nuk vjen si pasojë e futjes në ekonominë tonë të parave të pista.

“Kur i referohemi disa qindra miliona eurove që janë konfiskuar nga një sistem shqiptar i ngritur në vitet e fundit, duhet të kuptojmë se ato qindra miliona janë një fraksion shumë i ulët i atyre 8.5 miliardë eurove që kanë hyrë në ekonominë shqiptare. Në radhë të dytë duhet të kuptojmë që janë qindra miliona euro që janë arritur të konfiskohen për hir të fuqizimit të institucioneve shqiptare”, vijoi Ibrahimaj.


Lajmi kryesor:

Programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen’/ Rama: Me financime deri në 2 mln euro, përkrahim sipërmarrjet e vogla e të mesme! Do angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë