Ministrja Delina Ibrahimaj

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt transporti; ai është një instrument kyç për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

Në fjalën e saj përpara ministrave, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, partnerëve financiarë dhe përfaqësuesve të biznesit, ministrja Ibrahimaj theksoi,  se ndërlidhja fizike dhe ekonomike është kusht për rritjen e konkurrueshmërisë, garanci për sigurinë dhe themel për prosperitet të përbashkët.

“Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt transporti, dhe më lejoni që ta them me bindje se është një instrument kyç për integrimin evropian, për zhvillimin ekonomik dhe për forcimin e stabilitetit rajonal. Kjo pasi në kontekstin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të rikonfigurimit të prioriteteve strategjike të Europës, ndërlidhja fizike dhe ekonomike është kusht për rritjen e konkurrueshmërisë, si garanci për sigurinë, dhe patjetër si themel për prosperitet të përbashkët”, tha Ibrahimaj.

Ajo theksoi se ripozicionimi i Korridorit VIII në arkitekturën TEN-T është një çështje thelbësore që kërkon kalimin nga angazhimet politike në prioritete të zbatueshme evropiane, me projekte të planifikuara mirë, të financuara qëndrueshëm dhe të implementuara me efikasitet.

“Ripozicionimi i Korridorit VIII në arkitekturën TEN-T, më lejoni ta them, është një nga çështjet më thelbësore, që përfshin kalimin nga angazhimet politike në prioritete të zbatueshme evropiane, në projekte të planifikuara mirë, të financuara në mënyrë të qëndrueshme dhe të implementuara me efikasitet”, u shpreh ministrja.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi potencialin strategjik të Shqipërisë si nyje lindje-perëndim dhe portë e Adriatikut, duke u fokusuar në zhvillimin e porteve, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Sipas saj, zhvillimi i logjistikës dhe infrastrukturës transportuese portuale dhe hekurudhore mund të pozicionojë vendin si pikë hyrëse për tregjet e Europës Juglindore drejt Europës Perëndimore, duke ulur kostot logjistike për bizneset dhe duke përmirësuar aksesin në tregjet evropiane.

“Pozicioni ynë gjeografik na vendos në një pikë kyçe të ndërlidhjes midis Adriatikut, Ballkanit dhe Detit të Zi. Përmes zhvillimit të porteve, infrastrukturës rrugore e hekurudhore, Shqipëria pa frikë mund të shndërrohet në një pikë kyçe të rëndësishme tranziti dhe shpërndarjeje për rajonin dhe më gjerë”, theksoi ajo.

Projekti është plotësisht i harmonizuar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Shqipëria 2030, me Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe me angazhimet e Procesit të Berlinit. Ministrja veçoi projektin si thelbësor për lehtësimin e tregtisë, i cili po hyn në fazën e tij të dytë, i financuar nga Banka Botërore, me mbështetje nga Bashkimi Europian.

“Lehtësimi i tregtisë do të forcojë integrimin në zinxhirët rajonalë të vlerës dhe do të krijojë hapësira të reja për zhvillim industrial përgjatë korridorit. Investimet në infrastrukturë do të gjenerojnë vende pune, do të nxisin sektorin e ndërtimit, turizmit dhe të shërbimeve, si dhe do të rrisin atraktivitetin e vendit dhe rajonit për investime të huaja dhe vendas”, tha ajo.

Ministrja Ibrahimaj theksoi gjithashtu dimensionin gjeopolitik dhe të sigurisë të Korridorit VIII, duke e cilësuar atë si një aks horizontal që forcon ndërlidhjen në hapësirën rajonale, kontribuon në zhvillimin e Evropës Juglindore dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

“Por më lejoni të them se në të njëjtën kohë, nuk mund të anashkalojmë dimensionin gjeopolitik dhe të sigurisë së këtij korridori, pasi ai përfaqëson një aks horizontal që forcon ndërlidhjen në hapësirën e këtyre vendeve. Gjithashtu, Korridori VIII kontribuon në zhvillimin sidomos të Evropës Juglindore dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, pasi në një mjedis global të pasigurtë, investimi në infrastrukturë është edhe investim në stabilitet”, u shpreh ministrja.


Lajmi kryesor:

Nga Tirana angazhim evropian për Korridorin VIII. Shqipëri, Itali, RMV, Bullgari dhe Rumani: Projekt strategjik