Ministrja Manastirliu në takimin e zhvilluar me përfaqësi nga personat me aftësi ndryshe, ka dëgjuar kërkesat dhe nevojat emergjente që shqetësojnë këtë kategori .
“Në 100 ditë heqim barrierat për marrjen e shërbimeve në kohë dhe me cilësi, duke lehtësuar procedurat burokratike. E nisëm me kartën e shëndetit, vërtetimin e pensionit dhe librezën shëndetësore. Kemi nisur punën për lehtësimin e procedurave të Kempit për personat me aftësi të kufizuar"-është shprehur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Njoftimi i plotë i shpërndarë për mediat:
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pret përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar
Tiranë, 10 Tetor - Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me përfaqësuesit e personave me nevoja të veçanta dhe aftësi të kufizuar, ku dëgjoi kërkesat e tyre për përmirësimin e shërbimeve social shëndetësore për personat me aftësi të kufizuar.
“Në 100 ditë heqim barrierat për marrjen e shërbimeve në kohë dhe me cilësi, duke lehtësuar procedurat burokratike. E nisëm me kartën e shëndetit, vërtetimin e pensionit dhe librezën shëndetësore. Kemi nisur punën për lehtësimin e procedurave të Kempit për personat me aftësi të kufizuar. Nuk do të ketë më sorollatje nga njëri komision në tjetrin për vërtetimin e aftësisë së kufizuar, por po vlerësojmë heqjen e disa hallkave, për t’ua lehtësuar kalvarin e mundimshëm qytetatëve”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Përfaqësuesit e shoqatës së Invalidëve te Punës, në emër të 75 mijë invalidëve të punës, shprehën mirënjohje për vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të nisur punën për lehtësimin e procedurave të Kempit.
Nga lehtësimi i procedurës së Kempit përfitojnë rreth 130 mijë persona me aftësi të kufizuar.
Një nga shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar ishte vështirësia që hasin në marrjen e shërbimeve në nivel lokal.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguroi grupet e interesit se, me bashkimin e dy sektorëve, atë të Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë, do të integrohen më mirë shërbimet social-shëndetësore dhe do t’ju shërbehet më shpejt qytetarëve.


(Ministrja Manastirliu sot gjatë takimit të zhvilluar nga personat me aftësi ndryshe)
Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com












