Minxhozi: Është mirë kur kryetari i bërtet partisë dhe jo prokurorisë

Minxhozi: Është mirë kur kryetari i bërtet partisë dhe jo prokurorisë

Kryeministri Edi Rama

Edi Rama po e rimodelon qeverisjen e tij të re konform ndryshimeve dhe të rejave më të fundit në skenën shqiptare. Dhe të rejat më të fundit lidhen padyshim me dy realitete që nuk ishin aty deri në pranverë të këtij viti. E reja më e parë është që Rama nuk harxhon më asnjë minutë kohë për të reflektuar, vepruar apo për t’u  organizuar në funksion të opozitës politike që ka përballë. E mundi thellë në 14 maj dhe nuk gëzoi asnjë sekondë për fitoren më të bujshme numerike të karrierës së tij si kryetar i PS që nga viti 2005. E dëshmojnë dy mbledhjet e Asamblesë socialiste, ajo e korrikut dhe kjo e sotmja.

E reja e dytë, e cila shkon në kah të kundërt me të parën është se kryeministri njohu dhe legjitimoi realitetin e ri të krijuar pas goditjeve që drejtësia e re ka dhënë në drejtim të kupolës drejtuese të maxhorancës aktuale. Me nuhatje dhe zgjuarsi Edi Rama ka kuptuar se tashmë nuk i duhet më të harxhojë energji për të mundur Sali Berishën dhe Ilir Metën, por i duhet riformatim i qeverisë dhe partisë që drejton, për të përballur sfidën e ligjit. Në fushën e lojës ka zbritur SPAK, një sigël e re krahas PD, PS apo PL, e cila po i sfidon të gjitha siglat bashkë. Elita politike duhet të shohë përtej imunitetit të pakufizuar, që ka sjellë “në pajë” në 30 vitet e fundit karriera politike.

Ka rënë gradualisht zjarri i luftës politike, po ngrihet pluhuri i stuhisë penale. Një stuhi që i ngërthen të gjithë, paçka se duket sikur ka futur në krizë vetëm njërën palë. Ky është nënteksti i fjalimit të gjatë të Ramës në Asamble, i cili bëri de facto më shumë lajm sesa emërim-shkarkimet, të cilat nuk e ndryshojnë esencialisht pendulin e qeverisjes. Përtej emrave që ikën apo erdhën, paralajmërimi i Ramës ndaj krerëve socialistë për atë që i pret nëse mbi ta bie lapsi i SPAK, shënon epiqendrën e mbledhjes më të fundit të forumit socialist. Eshtë mirë kur kryetari i qeverisë i bërtet partisë së tij, e jo prokurorisë, kur kjo e fundit nis e fut në burg zyrtarët e forcës së tij politike.

Jo fort larg nga momenti që jetojmë, paraardhësit e Edi Ramës në qeveri fshiheshin në shtëpira apo bodrume qeverie për t’i shpëtuar fletë-arresteve të prokurorëve. Sa më parë të kthehet kjo faqe, sa më herët elita politike ta kuptojë se po hyjmë ngadalë në një epokë të re ndëshkimi ligjor, aq më shpejt ky vend do të shpëtojë nga tranzicioni me gjithë krizat e tij të vjetra dhe të reja.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr