Minxhozi: SPAK, fundi i gjuetisë me fishekë manovre

Minxhozi: SPAK, fundi i gjuetisë me fishekë manovre

Nga sot Shqipëria ka një shpresë më tepër. Për të ndërtuar shtetin ligjor, për të drejtuar shpinën e kërrusur të republikës nga qeverisjet e këqia, korrupsioni, tarafet dhe ryshfeti. Por edhe për të dhënë një sinjal të fortë, se rreth katër vite reformë në drejtësi, që bënë lëmsh politikën dhe trazuan ëndrrat më rozë të shumë shqiptarëve, ja kanë vlejtur vërtetë.

Nga sot edhe klasa politike, që i dha formë dhe votoi reformën në fjalë, nuk ka më asnjë alibi të qëndrueshme, për të justifikuar mungesën e drejtësisë në vendin tonë. Shprehja “t’ja lemë drejtësisë së re në dorë”, me zyrtarizimin e SPAK kthehet nga aspiratë në realitet.

Zgjedhja e kreut të SPAK Arben Kraja, si dhe betimi i tetë prokurorëve të kësaj njësie të posaçme, i jep emra dhe fytyra konkrete një strukture tek e cila ka qëndruar, qysh në ditën e parë të reformës në drejtësi, thelbi i përmbysjes së madhe të këtij sistemi: të bëhet i mundur hetimi, paditja dhe më në fund dënimi i korrupsionit deri dje të paprekshëm. Korrupsionit të zyrtarëve të lartë, politikanëve në pushtet dhe opozitë, si dhe hapjen ose rihapjen e dosjeve që kanë bërë ose bëjnë zhurmë, por që nuk prodhojnë “viktima”.

Arben Kraja dhe prokurorët e tij, do të duhet të mbushin me emra, ngjarje dhe fakte boshllëkun e madh të akuzave publike që ka prodhuar ambjenti shqiptar në këto vite. Natyrshëm, duke i ridimensionuar ato, pra duke hedhur në kosh atë që ka qenë thjesht një “muhabet kafeneje”, ose duke çuar në tryezën e gjyqtarit atë dosje apo ngjarje që është lënë mënjanë për shkak të pushtetit të protagonistëve të saj.

E dimë se në Shqipërinë e sotme kjo është si të ngjitësh Everestin pa oksigjen. Por dikush duhet ta ngjisë atë majë dikur dhe SPAK me të zgjedhurit e saj ka detyrën konkrete të justifikojë malin e shpresave që ka krijuar ky akronim me kalimin e kohës. Nëse shqyrton sot listën e arsyeve dhe motiveve që mbajnë ende me shpresë një banor të Shqipërisë, shumëçka përmblidhet tek pritshmëria që ka krijuar reforma në drejtësi. Dhe dhe pika e gravitetit e reformës është SPAK. Të shohim ç’do dalë dhe kjo reforma e ta ndajmë mendjen, është shprehja më e përdorur.

Arben Kraja dhe prokurorët e tjerë të njësisë speciale kanë në dorë ta mirëpërdorin këtë investim në imazh që SPAK ka marrë mbi vete, ende pa u formuar. Ta mirëpërdorin dhe ta konsolidojnë mundësisht, në një mjedis ku dominon entusiazmi i fillimit, që ja le më tej vendin humoreve depresive dhe pesimizmit.

Të gjesh dhe provosh korrupsionin në Shqipëri është si të peshkosh në një akuarium. Një pyll i madh emrash, interesash dhe zullumesh të lidhur me ta, e bëjnë shumë të lehtë identifikimin e shkeljeve dhe formalizimin e tyre me akuzat përkatëse. A do të arrijë SPAK të fillojë të mbjellë frikën ndaj ligjit, duke treguar seriozitet e qëndrueshmëri në goditjen ndaj kësaj turme gjigande emrash dhe interesash të papastër, që kanë ndërtuar universin e tyre paralel, pa rregulla e ligje?! Ja një pyetje për të cilën nuk do të duhet të presim gjatë. Sepse alibia disavjeçare e mungesës së SPAK mori fund. Bashkë me të mori fund edhe alibia e ngrehinës ende të papërfunduar të drejtësisë së re. Tani nuk luhet më me fishekë manovre./ Javanews

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nje koke pa lare: 20/12/2019 11:27

    SëPAKU do te kuptojme se behemi apo nuk behemi?

    Përgjigju
  • NAsi: 20/12/2019 10:54

    Ke shume te drejte o POPULL,historia ka tregu qe vendet e vogla behen me veshtiresi,2 milion kane ngel se te tjeret kane emigru jashte,dhe ketu bosat ta anullojne cdo lloj vendimi me zarfin me lek,ketu del kushuri me gjysen e shqiperise-nuk pres asnje ndryshim mendoj qe do vazhdoje te jemi rrumpalle.

    Përgjigju
  • Populli: 19/12/2019 20:41

    Spaku do bëjë një vrimë në ujë.. Gjithë ligjvënësit Shqipëtar janë të lexur e të plexur me politikën. Keni për ta parë!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës