Pesë ditë nga humbja në Poloni që ndërpreu ëndrrën për një biletë në botëror, kombëtarja shqiptare e futbollit do të zbresë sonte në stadiumin e Valencias për sfidën miqësore kundër Ukrainës.
Ashtu siç premtoi edhe në konferencën e djeshme për shtyp Sylvinho pritet të ketë disa ndryshime në formacion, edhe për faktin se bëhet fjalë vetëm për një ndeshje miqësore. Në portë, me shumë gjasa do të jetë sërish Strakosha, i ndihmuar në qendër të mbrojtjes nga Cake dhe Gjimshiti.
Hysaj konfirmohet në të djathtë, ndërsa Pilon do të mbrojë nga e majta. Në mesfushë, treshja Laçi, Shehu dhe Asllani do të mbeten të pandryshuar, ndërkohë që treshja e sulmit pritet të ketë ndryshime. Në të djathtë të sulmit, pritet që të jetë Anis Mehmeti titullar si edhe në të majtë Arbër Hoxha. Në majë të sulmit ka një balotazh mes Brojës dhe Uzunit, por ky i fundit është më i avantazhuar.
Vetë tekniku brazilian tha se përballja do të shërbejë për të bërë vlerësime të lojtarëve të cilët kanë më pak minuta, por shton se ndeshjet miqësore kërkojnë gjithashtu përqendrim të madh, pasi në fund të fundit rezultati mbetet çështja kryesore kur luan për një kombëtare.
“Nuk besoj se duhet të bëhen 6-7 apo 8 ndryshime. Është një mundësi për t’u dhënë minuta lojtarëve të cilët kanë luajtur më pak, por skuadra duhet të mbetet e organizuar si në çdo ndeshje të mëparshme. Mund të bëjmë 2-3 ndryshime nga ndeshja me Poloninë”, tha Sylvinho, trajner i kombëtares.
Për kapitenin Berat Gjimshiti disfata me Poloninë nuk duhet të nxijë të gjithë fushatën eliminatore të Botërorit. Ai thekson se kuqezinjtë duhet të ngrenë kokë duke filluar nga miqësorja me Ukrainën.
“Ne kemi në mendje ndeshjen me Ukrainën që kemi humbur para pak kohësh. Është në nivele si ne, Polonia, Suedia, skuadra që ishim në final four. Duhet vlerësuar si kundërshtar. Jemi të mërzitur por sa më shumë kohë kalon duhet të kthehemi më të fortë. Të marrim diçka pozitive në këtë ndeshje”, the kapiteni i skuadrës Berat Gjimshiti.
Ukrainë-Shqipëri mund të jetë ndeshja e fundit e trajnerit Sylvinho në drejtimin e kuqezinjve, pasi teknikut brazilian i skadon kontrata në korrik, ndërsa për këtë miqësore UEFA ka zgjedhur arbitra nga Spanja me kryesor Juan Martinez Munuera.
Komente











