VALENCIA, Spanjë - Kombëtarja shqiptare e futbollit zbriti në fushën e stadiumit të Levantes në Valencia të Spanjës, ku nesër në orën 20:45 do përballet në miqësoren kundër Ukrainës. Kuqezinjtë vijnë nga humbja 2-1 kundër Polonisë në Varshavë, gjë që i nxori jashtë garës për një vend në grupet e Kupës së Botës 2026, turne që do të zhvillohet këtë verë nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në bazë të kontratës që ka me FSHF-në, e cila përfundon në muajin korrik, trajneri Sylvinho do e ketë ndeshjen e fundit në stolin e Shqipërisë, gjithmonë nëse nuk rinovon. Duke qenë se pas këtij dueli, ndeshja e radhës për kuqezinjtë është në shtator, braziliani mund të përshëndetet nesër me ekipin.
Sylvinho nuk u ndal te e ardhmja, teksa edhe më parë është shprehur se do respektojë kontratën. Për sfidën e nesërme tha se mund të ketë 3-4 emra që nuk kanë marrë minuta, me futbollistët që duhet të tregojnë se e meritojnë fanellën.
‘’Humbja kundër Polonisë dhe sfida miqësore me Ukrainën - Është e vështirë, kemi ndeshje shumë të rëndësishme nesër, por mund të flasësh për tre vitet e fundit. Duhet të jem i sinqertë, meqë kemi folur për kualifikueset e Botërorit, viti i fundit nuk ishte shumë i lehtë për të ardhur këtu në ndeshjen e luajtur me Poloninë. Ishte një rrugë e gjatë, e vështirë, kemi bërë më të mirën, kishim fatin të luanim ndeshjen më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.
Nuk kishim një rezultat të mirë, edhe pse kishim një paraqitje të mirë. Nuk kam asgjë për t’u thënë djemve, ishte ndeshje e mirë. Kështu është futbolli, kur humb duket çdo gjë gabim, por nuk është ashtu. Nesër është ndeshje për t’u luajtur, një tjetër ndeshje ndaj një ekipi të madh përfaqësues, janë të mërzitur si ne, por duhet të luajmë 90 minuta dhe duhet të përgatisim atë ndeshje shumë mirë.
Vështirësia dhe emrat që mund të jenë risi në ekip - Ishte e vështirë për ne të vinim këtu, jemi të mërzitur me rezultatin kundër Polonisë. Por është e vështirë të përgatitësh këtë ndeshje në këtë situatë, ashtu si Ukraina. Ke vëmendjen më të madhe, që të luash ndeshjen më të rëndësishme për ne e për ju, pastaj 3-4 ditë më vonë je i mërzitur dhe vjen këtu.
Unë nuk besoj në ndeshjet miqësore, kur shkon në fushë duhet të jesh i përqendruar, të bësh 100% për 90 minuta. Janë disa lojtarë që thonë “trajner jam këtu, mund të luaj 45 minuta apo 90 minuta”. Duhet t’i hedhësh një sy, unë nuk besoj që të ndryshoj 5-6-7 lojtarë, kështu jam unë. Nuk mendoj se është mundësia, por është si një plan.
Mundësia për të luajtur është nëse gjërat funksionojnë. Duhet të organizosh skuadrën si zakonisht, por të mendosh për 2-3 ndoshta 4 zëvendësime.
Ukraina? Ne presim një ndeshje të vështirë nesër, të fortë, Ukraina ka shumë lojtarë të mirë. Nuk e di çfarë formacioni do ketë Ukraina, nuk e di as për ne. Sot pas darkës do flasim me lojtarët dhe të kemi formacionin më të mirë në fushë.
E trishtueshme për rezultatin e fundit, performancë e mrekullueshme ndërkohë. Po rritemi si përfaqësuese. Kur luajmë me Ukrainën, ka shumë lojtarë të mirë, jeni mësuar të luani në Europian dhe Botëror, por keni eksperiencë të mrekullueshme dhe lojtarë të mrekullueshëm. Për ne e rëndësishme është që të dalim dhe të luajmë 90 minuta.
Disa lojtarë që luajnë, duhet t’i tregojnë përfaqësueses dhe njerëzve gjithashtu që: ‘Jam gati të vesh fanellën dhe të luaj, dua të vi sërish’. Kemi shumë gjëra që luajmë nesër, motivimi është ky. Besojmë te lojtarët tanë, i kemi të mrekullueshëm dhe teknikë. Nuk e di a do jetë ndeshje e hapur’’, tha mes të tjerash Sylvinho.
Për mediet foli edhe kapiteni Berat Gjimshiti, teksa ra në sy se në sallë nuk kishte asnjë gazetar shqiptar, aq sa zëdhënësi i FSHF-së u detyrua të bënte disa pyetje. Sa i takon formës së futbollistëve, Arlind Ajeti dhe Ernest Muçi kanë lënë grumbullimin për shkak të dëmtimeve, ndërsa Ylber Ramadani ka marrë leje pasi pret të bëhet baba për herë të dytë. Ndërkohë që shqetëson gjendja e Jasir Asanit, për të cilin nuk është marrë ende një vendim.

Në prag të ndeshjes miqësore kundër Ukrainës, për mediet foli kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti. Nga Valencia ku do zhvillohet ndeshja, Berati nuk e fshehu mërzinë për humbjen kundër Polonisë, por ai dha mesazhin për të parë përpara.
‘’Ecuria e Shqipërisë në kualifikuese, si ndiheni?
Sigurisht që udhëtimi ka qenë shumë i mirë dhe pozitiv. Jeta është e shpejtë dhe ndodh vetëm ajo që është në prezencë, ajo humbje në Poloni e cila prish atë bukurinë që kemi bërë tre vitet e fundit. Por prapë jemi pozitivë. Në këto momente mund të jetë kohë negative, por ta marrim me forcë dhe ta kthejmë në pozitivitet.
Si e sheh Ukrainën në miqësore? Si e shikon gjendjen e lojtarëve?
Është ndeshje e fortë, është kundërshar që ka luajtur në nivele të forta, kemi qenë së bashku në kualifikueset e Europianit, për biletën e fundit për në Botëror. Duhet vlerësuar ekipi kundërshtar. Jemi të mërzitur, sa më shumë kalon, duhet të mendojmë për ndeshjet dhe t’i marrim gjërat pozitive. T’i marrim gjërat negative dhe t’i kthejmë në pozitive në ndeshjet e ardhshme të kombëtares.
Ke luajtur me një lojtar të Ukrainës, çfarë ndikimi ka në ndeshje dhe si e vlerëson?
Vlerësimi është i lartë, kemi kaluar shumë vite pozitive te Atalanta. E vlerësoj si njeri dhe lojtar. Edhe në këtë ekip të Ukrainës është lojtar kyç dhe ndër lojtarët më të mirë. Ka gjuajtjen e fortë nga distanca dhe nuk duhet t'i lëmë hapësira’’, tha Gjimshiti.
Komente











