Parlamenti shqiptar është në pritje të një përgjigje nga Komisioni Europian, përpara se të nisë shqyrtimin e vendimit të qeverisë për amnistinë, të miratuar në shkurt të këtij viti.

Burime zyrtare pranë Qeverisë, i thanë Report Tv, se bëhet fjalë për një procedurë normale, në një moment kur çdo nismë legjislative, aq më tepër ato që lidhen me sistemin e Drejtësisë, kalon përmes filtrave të Brukselit. Të njëjtat burime saktësuan se presin që përgjigja e Komisionit të mbërrijë në ditët e ardhshme.

Në momentin që qeveria miratoi amnistinë, ministri i atëhershëm i Drejtësisë njoftoi se prej saj, pritet të përfitojnë drejtpërdrejt 447 të burgosur, ndërsa për 853 të tjerë parashikohet ulje e dënimit. Por shifrat pritet të ndryshojnë në varësi të momentin të hyrjes në fuqi të ligjit. Përfitues pritet të jenë edhe 5,077 persona që vuajnë dënimin në shërbim prove.

Projektligji parashikon gjithashtu që, duke nisur nga viti 2024, të pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime që lidhen me vepra penale të lehta, duke synuar lehtësimin e sistemit të drejtësisë duke ulur ngarkesën në gjykata e prokurori, si dhe më shumë frymëmarrje për burgjet, duke reduktuar me afro 10 përqind numrin e atyre që mbahen në qeli.