Miratohen dëmshpërblimet për prishjet e shtëpive te Unaza e Re, ja cilët kompensohen

Miratohen dëmshpërblimet për prishjet e shtëpive te Unaza e Re, ja cilët kompensohen

Qeveria ka miratuar fondin e dëmshpërblimit për një pjesë të banorëve të Unazës së Re në Tiranë që preken nga zgjerimi i rrugës nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja. Në vendimin e qeverisë, përcaktohet fondi prej 1 miliardë e 224 milionë lekësh. Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”, vendimi që hyn në fuqi ditën e sotme. Një grup banorësh të Unazës së Re që nuk kanë dokumentet për banesat po protestojnë cdo natë prej disa muajsh kundër shembjes së shtëpive. Banorëve që nuk kanë banesat e legalizuara bashkia u ka ofruar bonues qiraje për tre vite, por ata kërkojnë dëmshpërblim të plotë si pjesa tjetër që kanë dokumentet e rregullta.

Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SEGMENTIT RRUGOR “PALLATI ME SHIGJETA – RRETHRROTULLIMI “SHQIPONJA””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta – rreth rrotullimi “Shqiponja””.

Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekësh, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë” dhe “ndërtesë”, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

Pronarët, e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e aktit pa tarifa regjistrimi.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fredi: 18/04/2019 10:50

    Katnaria e ktheu Shqipërinë në haur bajgash per 30 vjet nga Konispoli në Vermosh

    Përgjigju
  • Erik: 18/04/2019 10:09

    Behu gati Klevis, shume shpejt fadromat e IKMT-se do ndalojne tek Astiri. Mos harro t'i mbrosh me trup ndertesat aty.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër