TIRANË- Pronat e reja që do të zhvillohen në Tiranë do t’i japin në dispozicion Bashkisë së Tiranës një pjesë të sipërfaqes së banimit për fondin e strehimit dhe banesave sociale. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin “Për kontributin e sektorit privat në krijimin e fondit të banesave sociale që kalojnë në pronësitë Bashkisë Tiranë nga ndërtimet e reja”, i cili parashikon që çdo ndërtues që zhvillon një pronë në Tiranë duhet të japë në këmbim për strehim social 3% të sipërfaqes totale të ndërtimit që ka kryer.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke folur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, tha se ky është një vendim që i jep zgjidhje përfundimtare një ngërçi që ishte krijuar më parë dhe detyron ndërtuesit që përveç taksës, të vënë në dispozicion edhe 3% të ndërtimit ose vlerën ekuivalente të tij.
“Ne kemi qenë në një ngërç sepse na duhet të përkthejmë në aktet nënligjore se si do zbatohet 3% i banesave sociale për ndërtuesit. Pra përveç taksës që i paguhet bashkisë, ka edhe një fond të banesave sociale. Ligji ua ka kaluar bashkive sesi duhet ta interpretojmë. Pra, ajo që kemi bërë me këtë vendim, i kemi dhënë sot disa mundësi privatit: mund të na japi 3% aty ku ndërton, mund të na e japi këtë 3% sipas vlerës së vendit ku po ndërton në një vend tjetër, ose në qoftë se ka një fond banesash të pa shitura. Pra, jo të njëjtat metra katror, por në të njëjtën vlerë të këtij 3% të vendit ku është e vlefshme leja. Ose tjetra, 3% mund të zgjedhë ta paguajë edhe në ‘cash’ me vlerën e ndërtimit të asaj zone kadastrale. Ky shkon në një fond të posaçëm vetëm për banesa sociale. Pra, nuk mund të mbjellim pemë ose të bëjmë korsi biçikletash me këtë fond, sepse vjen ekskluzivisht për banesat sociale. Kështu zgjidhim edhe këtë ngërç. Jam i bindur se pas nesh do të kemi shumë bashki të tjera që do ta ndjekin”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Sipas këtij vendimi që buron nga ligji “Për strehimin social”, çdo subjekt privat që aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2000 meta katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën të 3% të sipërfaqes funksionale, me kushte strehimi të përshtatshme në favor të fondit publik të banesave sociale. Për shkak se ligji ka hyrë në fuqi që në 30 nëntor të vitit 2018, atëherë ky projektvendim parashikon që të gjitha ndërtimet e reja që janë bërë që nga ajo datë të vënë në dispozicion sipërfaqen e banimit që parashikon ligji. Sipas vendimit, pjesa prej 3 për qind që do të kalojë në favor të Bashkisë së Tiranës do të jetë pjesa takuese e investitorit/zhvilluesit të ndërtimit, pa cenuar kështu pjesën takuese të pronarëve të truallit.
Një nga vendimet e rëndësishme të marra në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ishte edhe miratimi i dëmshpërblimit për familjet e prekura nga tërmeti i pak javëve më parë. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në kohë rekord janë bërë gati 51 dosjet e para për të marrë dëmshpërblimin, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në vende shumë herë më të zhvilluara.
Këshilli Bashkiak miratoi edhe ndihmën financiare për familjet e prekura nga përmbytjet. Me këtë rast, Veliaj u bëri thirrje familjeve që kanë ndërtuar në lumin e Lanës, që të pranojnë propozimet e bashkisë për strehim. “Po i vajte Lanës, do të vijë edhe Lana ty, ndaj për të gjitha këto arsye, thirrja për qytetarët është: Po, por ky shtet nuk ua ka borxh për 30 vjet, 30 herë kompensime. Thirrja për këta banorë është: Kur të vijë rehabilitimi i Lanës, mos i bëni xhingla bashkisë, sepse do vijë prapë lumi dhe nuk ia vlen me këto kosto çdo vit. Më mirë pranojeni në fillim një banesë sociale dhe jeto si njeri, sesa ‘strapacohesh’ vetë, por edhe sigurisht je një barrë për një qyet që nuk i ka tepër paratë”, tha ai.
Ndërkaq, shumë shpejt Tirana do të ketë Teatrin e Ri Kombëtar, një hapësirë unike që ofron të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për aktorët, ashtu edhe për publikun. “Të mos ketë asnjeri iluzione, teatri i ri do bëhet! Ne do japim parkingun e bashkisë, komplet i pavlerë, siç e patë në inspektimin që u bë; një parking si landfill, pocaqi, që shumica as nuk e parë se nuk ka pikë vlere, dhe do marrim një Teatër që vlen minimalisht 30 milionë euro. Atyre që po lodhen tek teatri, u them: Ruajini energjitë se do i bëjmë gjërat sipas procedurave; donit garë, garë bëmë! Ndërtimi i teatrit të ri do ndodhë në një ditë me diell, për të filluar një punë të mirë për Tiranën, që vitin tjetër mbush 100 vjeç dhe nuk ka nevojë që shekullin e dytë ta jetojë tek teatri i shekullit të parë, por duhet të ketë një teatër të ri”, deklaroi ai.
Këshilli Bashkiak i Tiranës mori sot vendim për të rishikuar stacionet e linjës Nr. 16 “Linja e Gjelbërt” në kryeqytet. Veliaj e cilësoi të papranueshëm vendimin e gjykatës, e cila vendosi në favor të privatit dhe në dëm të qytetarëve, me pretendimin se linjat dublikohen, sikurse pretendonte edhe shoqata e autobusëve. “Kjo bashki kaloi një vendim fillestar për atë që quhet linja e gjelbër. Në atë moment, Shoqata e Transportit publik e çoi në gjykatë. Gjykata, për keqardhje shumë të madhe, nuk përqafoi idenë e bashkisë, por përqafoi idenë e shoqatës së transportit publik dhe ka kërkuar që të marrim një vendim të ri, ku të ndërrojmë disa nga linjat, duke qenë se kishte përplasje. Unë nuk e di si t’ia them gjyqtarit që në kohën e pikut, një nga stacionet e Tiranës së Re ose të rrugës së Elbasanit, ka nevojë jo për një, por edhe për 3-4-5 autobusë njëherësh. Por, qartazi gjyqtari s’ka hipur ndonjëherë në autobus dhe qartazi s’ka kaluar akoma vettingun. Pas këtij vendimi sot, do të çoj denoncimet e mia dhe në emër të Bashkisë së Tiranës, te komisioni i vettingut për këdo gjyqtar që vazhdon të fusë hundët në favor të privatit dhe në humbje të interesit të publikut”, tha Veliaj.
Po trenin ku e ke ne tirane erion,,,me gjej nje kryeqytet ballkanik ose europian pa tren dhe tramvaj,,me gjej nje,,,edhe thua e kam rregulkuar tiranen,,,shtepine tende e ke rregulkuar por jo tiranen....
Përgjigju