TIRANË- Konferenca e kryetarëve është mbledhur ditën e sotme para hapjes së sesionit parlamentar i  cili nis në orën 18:00 të pasdites së sotme. Në mbledhjene e sotme është përcaktuar axhenda e Kuvendit deri në datën 19 shtator. Gazetari i Report Tv Elis Memelli raporton se në datën 12 shtator pritet të rrëzohen 4 dekrete të Metës, teksa që nesër do të nisë shqyrtimi formal në komisionet parlamentare. 

Në 12 shtator është parashikuar të rrëzohet dekreti për rishqyrtimin e ligjit:  “Për rezervat materiale të shtetit”, “Për privatizimin e ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta”, “Për vetëqeverisjen vendore”” dhe ai “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Ndërsa në seancën e datës 19 shtator Kuvendi do të votojë 5 ligje të kthyera pas nga presidenti Ilir Meta ndër to dekreti për ndryshimet e “Kodit Penal”, ligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar” dhe dy koncesionet që janë dhënë për rrugën Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara. Po ashtu një tjetër dekret i lënë më 19 shtator është ai “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, ku kujtojmë se kreu i shtetit ktheu mbrapsht edhe zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Këto dekrete të Metës janë kundërshtuar edhe publikisht nga mazhoranca. Ndërsa pritet që këtë sesion parlamentar të vijojnë sërish punimet edhe komisioni hetimor i ngritur nga mazhoranca për të shkarkuar kreun e shtetit.

Axhenda e komisionit te Ekonomise dhe Financave, neser shqyrton disa nga dekretet e Presidentit