Mes debatesh të shumta, është miratuar vetëm me votat e mazhorancës projektligji për ndërtimin e portit të Karpenit në Kavajë. Deputetët e djathtë akuzuan në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive prodhuese mungesën e plotë të transparencës dhe nxitimin me të cilin u hartua dhe u kalua për miratim ligji për ketë investim me vlerë 5 miliardë dollarë. Deputeti i PD-së Helidon Bushati kërkoi më shumë detaje mbi kompanitë që qëndrojnë pas këtij konsorciumi. Në mënyrë të veçantë për shoqërinë që ka bërë propozimin e pakërkuar për ndërtimin e Portit, kapitali i së cilës është vetëm 100 paund. ''Ka një pikëpyetje të vogël që u munduat me shumë delikatesë ta anashkaloni, vetë kompania aplikuese është një kompani me një kapital prej 100 stërlinash'', u shpreh ai.

Gjatë seancës dëgjomore nuk munguan as batutat. Deputeti i PS Eduard Ndocaj, tha që nëse vërtetë kompania investuese Star Bridge ka për kapital vetëm 100 paund, ishte i gatshëm dhe ai të bëhej bashkëinvestitor duke paguar shumën prej 100 paundësh. ''Është e vërtetë që ka 100 stërlina në bankë apo u tallët si zakonisht'', tha Ndocaj.

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha se kompania që ka propozuar ndërtimin dhe shfrytëzimin e portit nuk ka kapitale pasi do të menaxhojë fondet e shoqërive që bëjnë pjesë në konsorcium. ''Kompanitë kanë ardhur me përfaqësuesit e tyre disa herë, kanë regjistruar kompaninë në Angli dhe Uells. Është e vërtetë që kjo kompani ka një sasi parash 100 paund sepse Star Bridge është një kompani investimi dhe sipas historisë së tyre investuese portofoli mbushet dhe zbrazet në varësi të projekteve'', u shpreh ajo.


Votimi i projektligjit do të thotë se Qeveria do nisë pas 45 ditësh shqyrtimin e propozimit të britanikëve dhe mund të miratojë brenda 2 muajsh kontratën koncesionare.

kavaja

kavaja

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com