TIRANE, 18 Shtator/ATSH/-Komiteti i Menaxhimit  të Parkut Kombëtar "Divjakë-Karavasta" mbajti mbledhjen e katërt dhe të fundit më 18 shtator 2014 në qytetin e Divjakës.
Mbledhja kishte për qëllim diskutimin mbi aktivitetet e projektit JICA si dhe miratimin e draft-planit të menaxhimit të parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Mbledhja u hap  nga zv.ministrja e Mjedisit, znj. Djana Bejko njëherësh Kryetare e Komitetit të Menaxhimit  të Parkut Kombëtar "Divjakë-Karavasta".
Në fjalën e saj ajo tha se: "Çështja e menaxhimit të qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura është sot një drejtim kryesor i punës në fushën e mbrojtjes së natyrës pasi lidhet drejtpërdrejt me sfidën e kohës për arritjen e rezultateve të prekshme dhe të matshme të komponentëve të biodiversitetit si një proces që realizon mbrojtjen dhe në të njëjtën kohë përdorimin e qëndrueshëm të hot-spoteve të biodiversitetit, habitateve dhe llojeve".
Mbledhja e Komitetit të Menaxhimit mbështetet nga Projekti  JICA "Për konservimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të PK 'Divjakë-Karavasta' me pjesëmarrjen e pushtetit lokal dhe palëve të interesuara".
Plani i menaxhimit synon të realizojë ruajtjen e Biodiversitetit   përmirësimin e infrastrukturës së Parkut, ngritjes së kapaciteteve të stafit për menaxhim, promovimin e turizmit, ndërgjegjësimin e publikut dhe edukimin mjedisor, skemat e bujqësise organike, si dhe zbatimin e disa aktiviteteve pilot.
Zbatimi i një pjese të planit të menaxhimit ka nisur me rehabilitimin e Zonës së Mbrojtur, financuar nga Ministria e Mjedisit e cila alokoi për vitin 2014 një fond për zbatimin e disa aktiviteteve pilot në Park, investim i cili ka filluar të zbatohet në fund të qershorit./a.gegvataj/