Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar projektligjin “Për Censin e Bujqësisë”, i cili përcakton rregullat për organizimin dhe zhvillimin e censit bujqësor në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Sipas projektligjit, censi do të shërbejë për mbledhjen e informacionit të plotë dhe të detajuar mbi fermat bujqësore, me qëllim krijimin e statistikave të besueshme dhe ndërtimin e regjistrit statistikor të njësive ekonomike bujqësore në vend.

Dokumenti parashikon që censi të përfshijë të gjitha njësitë që përdorin tokë bujqësore ose ushtrojnë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, pavarësisht nëse produktet e tyre tregtohen në treg apo përdoren vetëm për konsum familjar. Të dhënat e mbledhura duhet të mbulojnë të paktën 98% të sipërfaqes së përdorur për qëllime bujqësore, me përjashtim të kopshtarisë, si dhe 98% të njësive blegtorale në vend.

Projektligji përcakton se pyjet dhe kullotat në pronësi publike nuk do të jenë pjesë e censit, përveç rasteve kur shfrytëzohen drejtpërdrejt nga njësitë ekonomike bujqësore për aktivitetet e tyre.

Një nga elementët kryesorë të nismës është përfshirja e treguesve gjinorë, me qëllim matjen dhe analizimin e rolit të grave dhe burrave në strukturën dhe funksionimin e fermave dhe njësive të tjera bujqësore.

Instituti i Statistikave do të jetë institucioni përgjegjës për planifikimin, organizimin, zbatimin dhe menaxhimin e procesit të censit, si dhe për publikimin e statistikave që do të gjenerohen nga të dhënat e mbledhura.

Përmes këtij censi, autoritetet synojnë të sigurojnë një bazë të përditësuar informacioni për sektorin bujqësor, e cila do të përdoret në hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit të bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri. Ndërkohë projektligji për Censin e Bujqësisë do të duhet më pas të shqyrtohet e miratohet në Parlament, që më pas të nisë zbatimi i tij në praktikë.