Këshilli i Ministrave miratoi më 2 tetor 2026 projektligjin “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, duke propozuar krijimin e një institucioni të pavarur që do t’i përgjigjet dhe do të raportojë drejtpërdrejt Kuvendit.
Këshilli Fiskal synon të kontribuojë në disiplinën fiskale, transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe praktikat ndërkombëtare.
Institucioni do të monitorojë zbatimin e rregullave fiskale, do të vlerësojë politikat fiskale dhe do të japë opinione të pavarura për qëndrueshmërinë e financave publike dhe rreziqet fiskale.
Projektligji përcakton se Këshilli Fiskal nuk do të hartojë politika fiskale apo buxhetore dhe nuk do të ushtrojë funksione ekzekutive, por do të ketë rol monitorues, analizues, vlerësues dhe raportues.
Ndër detyrat kryesore të tij do të jetë vlerësimi i kuadrit makroekonomik e fiskal afatmesëm, projektbuxhetit vjetor, ndryshimeve të tij dhe raportit vjetor të zbatimit të buxhetit.
Opinionet e Këshillit Fiskal për projektbuxhetin dhe kuadrin makroekonomik do të jenë pjesë e dokumenteve që i paraqiten qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa në rast të vërejtjeve negative, Ministria e Financave do të duhet të japë një relacion shpjegues.
Këshilli do të përbëhet nga tre anëtarë me mandat gjashtëvjeçar, me mundësi riemërimi vetëm një herë, ndërsa mandatet e përbërjes së parë do të jenë përkatësisht gjashtë, pesë dhe katër vjet për të garantuar rotacionin.
Anëtarët do të emërohen nga Kuvendi me shumicën e më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve, pas një procedure publike përzgjedhjeje nga komisioni parlamentar përgjegjës për financat.
Kandidatët duhet të kenë të paktën 10 vite përvojë në financa publike, makroekonomi ose kërkim shkencor në ekonomi, si dhe nuk duhet të kenë ushtruar funksione politike apo të kenë qenë pjesë e administratës publike gjatë dy viteve para emërimit.
Projektligji parashikon gjithashtu një sekretariat teknik me pesë anëtarë, financim nga buxheti i shtetit, autonomi në përdorimin e fondeve dhe auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Këshilli do të ketë të drejtë të kërkojë informacion nga institucionet publike, ndërsa do të publikojë analizat, opinionet dhe raportet e tij dhe do t’i nënshtrohet të paktën një herë në gjashtë vjet një vlerësimi të jashtëm të pavarësisë dhe efektivitetit.
Sipas projektligjit, Këshilli Fiskal duhet të konstituohet pas zgjedhjes së tre anëtarëve, ndërsa ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, pasi projektligji t’i paraqitet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.





Komente
Komento