Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Paga në Sektorin Publik, që kishte shkaktuar bujë të madhe në opinionin publik. Sipas mediave kosovare, do rritet paga e kryeministrit Kurti, por nuk dihet ende koeficienti. Në sallë ishin 85 deputetë të pranishëm dhe vetëm 63 prej tyre votuan për projektligjin për pagat. 64 deputetë kanë votuar gjithsej, nga të cilët 63 prej tyre ishin pro dhe një abstenim.
Partitë opozitare nuk morën pjesë fare në votim. Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pas votimit në Kuvend.
"Të gjithë janë në terr informativ", sipas Tahirit, pasi që ende nuk është specifikuar se sa do të jetë koeficienti i pagave.
Tahiri ka reaguar pas projektligjit të pagave duke i thënë kryeministrit ”Urime kryeministër”, në formë ironike.
“Imagjinoni, ligji i pagave që u miratua sot nga mazhoranca e VV-së, i ka lënë në terr informativ të gjitha kategoritë e punëtorëve në sektorin publik, mjekët, profesorët, shërbyesit civil, mësimdhënësit, policët, prokurorët, gjyqtarët, infermierët, zyrtarët në nivel qendror e lokal, të cilët nuk e kanë të qartë se cila është vlera e koeficientit të pagës së tyre, rrjedhimisht, absolutisht të paqartë se sa do të jetë paga e tyre. Ky ligj i pagave, lirisht mund të quhet ligji për pagën e Albin Kurtit, sepse askush tjetër përveç tij, nuk e di koeficientin e pagës së vet, ndërsa kryeministri që ia ka rritur pagën vetës, është i vetmi që e di se sa vlen një koeficient dhe se si përkthehet ai në vlerë monetare si pagë. Urime Kryeministër!”, ka shkruar Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri ka thënë se është mashtrimi i rradhës dhe nuk ka asnjë informacion se si do zhvillohen rritjet e pagave.
“E tash që kaloi Ligji i Pagave, a ka dikush në qeveri që mundet me na tregu sa është rroga e një zyrtari të shtetit? Terr informativ, manipulim dhe siç po duket edhe një mashtrim i radhës. Folni mos heshtni tash!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Edhe një tjetër deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar për Ligjin për Pagat duke thënë se qeveria nuk e di as kur do hyjë në fuqi ky ligj.
“Qeveria e praktikantëve. Ligji i Pagave u votua, por Qeveria nuk e di kur hyn në fuqi ky ligj. Sepse vlera monetare e koeficientit të pagave duhet të caktohet me Ligj të Buxhetit. Ligji i Buxhetit për 2023 ka kalu në lëxim të dytë me 15.12.2022. Rrjedhimisht Qeveria duhet të bëjë rishikim të Ligjit të Buxhetit për me caktu vlerën e koeficientit. Kur do të këtë rishikim të Ligjit të Buxhetit? Kur do të hyjë Ligji i Pagave në fuqi?”, ka shkruar Hykmete Bajrami.