Forumi Kundër Anti-Semitizmit në Tiranë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo merr pjesë nga Washingtoni

TIRANË- Sekretarit i Shtetit i ShBA-së, Michael Pompeo do të marrë pjesë në Forumin Forumin e Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit 2020 e cila do të zhvillohet në Tiranë. Ai do të marrë pjesë nga Washingtoni përmes videokonferencës.

“Lufta kundër antisemitizmit është një domosdoshmëri dhe kritike morale për promovimin e lirisë fetare. Është nderi ynë të shpallim Sekretarin e Shtetit të ShBA Michael Pompeo si folësin kryesor të Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Anti-Semitizmit” – shkruhet në njoftimin zyrtar.

Forumi i Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit 2020 do të mbahet në 28 Tetor 2020.

Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte (22 tetor) projekt-rezolutën për përkufizimin e përdorshëm për Anti-Semitizimin përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit. kjo projekt-rezolutë është miratuar me 111 vota pro. Asnjë deputet në sallë nuk ka dalë kundër dhe pas votimit të gjithë kanë duartrokitur. 

Të pranishëm sot në parlament gjatë miratimit të projekt rezolutës kanë qenë edhe ambasadorët, të SHBA, BE dhe i Izraelit, të cilët po ashtu kanë duartrokitur në sallë bashkë me deputetët. Edhe gjatë diskutimit në sallë për këtë projektrezolutë, është folur gjatë për ndihmën e dhënë nga Shqipëria kundrejt hebrenjve. Një vendim i tillë ka bërë jehonë edhe në mediat izraelite, të cilët vënë theksin se Shqipëria me shumicë myslimane, është vendi i dytë pas Kosovës, që miraton këtë projekt-rezolutë.

"Parlamenti shqiptar ka mbështetur përkufizimin e punës së Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit (IHRA) të antiSemitizmit duke e bërë Shqipërinë një nga vendet e para me shumicë-myslimane që miraton rezolutë. Përkufizimi i IHRA, një organizatë ndërqeveritare që përfshin 34 vende anëtare, është një klasifikim i antisemitizmit i rënë dakord ndërkombëtarisht i përdorur për të ndihmuar në përcaktimin dhe luftimin e antisemitizmit në vendet që e kanë miratuar atë", thuhet mes të tjerave në shkrimin në median izraelite.

Nëpërmjet kësaj rezolute, të propozuar nga deputetët Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti përcaktohet përkufizimi i antisemitizmit si më poshtë: “Antisemitizmi është një perceptim i caktuar për hebrenjtë, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj hebrenjve. Manifestimet retorike dhe fizike të antisemitizmit drejtohen ndaj individëve hebrenj ose Jo hebrenj dhe/ose ndaj pronës se tyre, ndaj institucioneve dhe objekteve fetare të komunitetit hebraik.”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:59
Michael Pompeo do të jetë folësi kryesor i Forumit të Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit në Tiranë

Sekretarit i Shtetit i SHBA-ve, Michael Pompeo ka konfirmuar se do të jetë folësi kryesor i Forumit të Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit 2020. Ai do të flasë në një videokonferencë.

“Lufta kundër antisemitizmit është një domosdoshmëri dhe kritike morale për promovimin e lirisë fetare. Është nderi ynë të shpallim Sekretarin e Shtetit të SHBA Michael Pompeo si folësin kryesor të Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Anti-Semitizmit” – shkruan Lufto Antisemitizmim në Tëitter.

Forumit i Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit 2020 do të mbahet në 28 Tetor 2020 në orën 16:00 në Tiranë.

“Qëllimi i konferencës do të jetë krijimi i një fronti të bashkuar midis Ballkanit për të punuar së bashku në mënyrë që të zhduket plaga e antisemitizmit nga ligjërimi dhe të krijohet shoqëri më e mirë, më tolerante për brezat e ardhshëm.” – thuhet në njoftim.

Njoftimi zyrtar
Ora 16:00
'Krenare që e quajmë aleate', ShBA dhe BE mbështesin Shqipërinë për miratimin e rezolutës mbi antisemitizmin

ShBA dhe Bashkimi Europian kanë reaguar mbi miratimin e rezolutës nga parlamenti i Shqipërisë për luftën kundër urrejtjes ndaj hebrenjve.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e ShBA-së shkruan se ky akt vijon traditën e Shqipërisë në këtë luftë ku kujton dhe kohën kur vendi ynë strehonte hebrenj gjatë luftës së dytë botërore.

"Sot, parlamenti miratoi përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin. Ky akt vazhdon traditën e gjatë të Shqipërisë në luftën kundër urrejtjes. Na kujton gjithashtu historinë e Shqipërisë dhe strehimin e viktimave të persekutimit në mënyrë të guximshme, pa marrë parasysh koston dhe pavarësisht nga rreziku. Shtetet e Bashkuara janë krenare që e quajnë Shqipërinë një partnere dhe aleate ndërsa vazhdojnë angazhimin e tyre për dinjitetin e çdo individi" - shkruan ambasada.

Ndërkohë nga ana e BE-së ka reaguar ambasadori Luigi Soreca. Përmes një postimi në Tëitter, Soreca shkruan se BE do të paraqesë një strategji gjithëpërfshirëse mbi antisemitizmin në 2021.

"Ne e mirëpresim rezolutën e miratuar sot nga Parlamenti i cili miraton përkufizimin IHRA të Antisemitizmit. BE është e vendosur të luftojë të gjitha format e antisemitizmit dhe të nxisë jetën Jude. Për të mbështetur veprimet kombëtare, BE do të paraqesë një Strategji gjithëpërfshirëse mbi antisemitizmin në 2021" - shkruan Soreca.

Projekt rezoluta për miratimin e kufizimit të antisemitizmit për përkujtimin e Holokaustit u miratua këtë të enjte në Parlament me 111 vota pro. Asnjë deputet në sallë nuk ka dalë kundër dhe pas votimit të gjithë kanë duartrokitur.

Edhe gjatë diskutimit në sallë për këtë projektrezolutë, është folur gjatë për ndihmën e dhënë nga Shqipëria kundrejt hebrenjve.

Ora 14:50
Rezoluta për antisemitizmin, Ruçi: Prej vitesh Shqipëria ka mbrojtur hebrenjtë nga shfarosja! I bashkohemi vendeve kundër urrejtes ndaj tyre

Në fjalën hapëse të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në seancën e sotme në Kuvend ai u ndal tek rezoluta për përkufizimin e antisemitizmit. Ai tha se kjo rezolutë u bashkohet ndjeshmërisë dhe përpjekjeve kundër urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe johebrenj.

"Sot në seancën plenare kemi në rendin e ditës votimin e Rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”. Rezoluta jone u bashkohet ndjeshmërive e përpjekjeve të përbotshme kundër urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe johebrenj,  komuniteteve, pronave dhe institucioneve komunitare e fetare të hebrenjve.

Rezoluta mbështetet në përcaktimin e kësaj Aleance, e cila bashkon qeveritë dhe ekspertët për avancimin e vlerave që përkujtojnë Holokaustin, sipas deklaratës së Stokolmit të vitit 2000. Shqipëria është anëtare vëzhguese e Aleancës prej 2014. Përkufizimi dënon perceptimet denigruese ndaj hebrenjve, përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarte të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit.

Përkufizimi është pranuar deri tani nga 31 shtete, si Britania e Madhe, ShBA, Izraeli, Austria, Skocia, Rumania, Kanadaja, Gjermania, Bullgaria, Lituania, Moldavia, Franca, Qipro, Argjentina dhe gjatë dy viteve te fundit edhe nga disa vende fqinje: Maqedonia e Veriut, Greqia, Qipro, Italia dhe Serbia.

Është një lajm  i  mirë që ne, popujt e Ballkanit Perëndimor, rajonit që ka vuajtur si rrallë ndonjë kënd tjetër i botës, pasojat e pikëpamjeve e qëndrimeve etno-centriste e fetaro-centriste, i bashkohemi ketij veprimi emancipues të qytetërimit bashkëkohor: luftës kundër antisemitizmit.

Të gjithë kombet që përgjatë historisë kanë mbrojtur hebrenjtë nga shfarosja dhe i mbështesin ata sot kundër stigmatizimit, kanë të drejtë të krenohen. Por më shumë të drejtë kemi ne, shqiptarët sepse prania kulturore e lidhjet historike midis hebrenjve dhe shqiptarëve janë vërtetuar prej dymijë vjetësh.

Por jo vetëm kaq.  Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atdheu ynë, Shqipëria, në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për ta. Gjatë Luftës kemi ndarë me hebrenjtë të njëjtin atdhe. Togfjalëshi  “atdhe rezervë” nuk është një frazë për të zbukuruar  apo zmadhuar kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve. Por për të theksuar faktin se në Shqipëri u shpëtuan jo vetëm 204 hebrenjtë vendas, por edhe 10-fishi i tyre ardhur nga Europa Qendrore e Lindore. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kishte rreth 800 hebrenj jorezidentë të pranuar prej vendeve me rrezik. Ndërsa deri në fund të Luftës u morën në mbrojtje mbi 3000 hebrenj.

Nuk ka rast tjetër në historinë botërore që një popull i vogël, nën pushtim, në një territor të cunguar, në varfëri të trashëguar nga prapambetja dhe të shtuar nga Lufta,  të shndërrohet në një vend klasik pritës të hebrenjve të rrezikuar nga shfarosja dhe Holokausti, duke u njohur atyre, prej vitit 1932 të drejtën e bashkësisë etnike e fetare.

Gjatë Luftës mjaft prej tyre u rreshtuan në formacionet luftarake përkrah shqiptarëve dhe historianët  pohojnë se rreth  15 hebrenj ranë dëshmorë për lirinë e Shqipërisë.

Mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri ishte një qëndrim pa dallime: politike, ideologjike e fetare. Të gjithë krahët politikë, të gjitha institucionet kontribuan në mbrojtjen e tyre.

Prandaj Rezoluta që miratojmë sot është rezultat logjik i historisë sonë të mbrojtjes së hebrenjve.

Falënderoj deputetët Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,  dhe Blerina Gjylameti, si nismëtarë e propozues të Rezolutës. Falenderoj Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, zonjën Juri Kim, Ambasadorin e Bashkimit Europian, z. Luixhi Soreca, dhe Ambasadorin e Shtetit të Izraelit, z. Noah Gal Gendler, që i janë bashkuar seances plenare të Kuvendit dhe po ndjekin miratimin e Rezolutës.

Miratimi i Rezolutës i paraprin organizimit, më datë 28 tetor,  nga Kuvendi, në bashkëpunim me Lëvizjen për të Luftuar Anti-Semitizmin, i veprimtarisë së parë në rajon kushtuar kësaj çështjeje: Forumi i Ballkanit 2020 kundër Anti-Semitizmit. Të ftuar për të marrë pjesë në këtë Forum janë personalitete të shquar ndërkombëtare, si Sekretari i Shtetit Maik Pompeo, përfaqësues nga Parlamenti Europian, vendet e Bashkimit Europian, kryeparlamentarët  e vendeve të rajonit, shtetarë të lartë të Izraelit, përfaqësues të Trupit Diplomatik etj.

Të gjithë i falenderoj paraprakisht për pjesëmarrjen dhe kontributet e tyre në Forumin e 28 tetorit dhe ju, të nderuar kolegë, ju ftoj ta miratojmë këtë." tha Ruçi.

/E.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot