Nga ky vendim i Këshillit Bashkiak, shfuqizohet tarifa e pastrimit për vendosjen e tavolinave në hapësira publike për subjektet bar, restorant, kafe, fast-food etj,.
Nga 25 mijë lekë që ishte për çdo tavolinë tashmë nuk do të paguhet asnjë lekë.
Ndërsa tarifat e tjera të pastrimit nuk ndryshojnë.
Taksa për zënien e hapësirës publike
Do të paguhet sipas ndarjes në zona:
Zona a do paguajë 1500 lekë për m2
Zona b do paguajë 750 lekë për m2
Zona c paguajë 450 lekë për m2.
Bashkia ka ndryshuar një pjesë të vendimit duke kaluar disa rrugë që ishin në zonë A duke i kaluar në zonën B.
Më parë kjo tarifë ka qenë 1500 lekë për m2, për të gjithë Tiranën. Për muajt Janar-Shkurt bizneset nuk do të paguajnë.
Në fillim të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, këshilltarët e PD kërkuan përfshirjen në rendin e ditës të punimeve të Këshillit Bashkiak të propozimit për uljen e taksave me 30%, si dhe të bërjes transparente të punimeve të Bashkisë në parkun e liqenit.
Nisur nga kjo situatë, përfaqësuesit e PD paralajmëruan se mund të bojkotojnë mbledhjet e ardhshme të Këshillit Bashkiak.
Ndërkohë që këshilli bashkiak miratonte projektvendimin për taksat, përfaqësuesit e biznesit kanë shfrytëzuar një moment pushimi të Këshillit për të tentuar të hyjnë me forcë në bashkinë e Tiranës, jashtë së cilës protestonin për taksat e larta vendore.
Këshilltarët e PD kërkuan që ata të jenë pjesë e mbledhjes për vendimet që do të miratoheshin.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e biznesit janë shprehur se do të përshkallëzojnë qëndrimin kundër Bashkisë së Tiranës, ndërsa ngritën alarmin se me këtë nivel taksash, biznesi do të falimentojë brenda 6-muajve.
21: 30 Njoftimi i Bashkisë së Tiranës për vendimet e Këshillit Bashkiak
Së pari u bë ndryshimi i niveleve të “Taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme”.
Ky ndryshim vjen si rezultat i interpretimeve në raport me ndryshimet e fundit në ligjin “Për sistemin e taksave vendore” dhe vështirësitë e aplikimit në praktikë nga institucionet përgjegjëse të niveleve të miratuara. Sipas këtij vendimi, niveli i taksës së kalimit të “Taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme” për njësitë administrative: Dajt, Farkë, Kashar, Bërzhitë, Pezë, Baldushk, Vaqarr, Petrelë, Krabë, Ndroq, Shëngjergj, Zal-Herr, Zall-Bastar, taksa për ndërtesë banimi nga 1000 lekë shkon në 100 lekë, për ndërtesat e tjera për tregti dhe shërbime nga 2000 lekë në 300 lekë, ndërsa për ndërtesat e tjera nga 1500 lekë shkon në 200 lekë.
Gjithashtu, me anë të këtij vendimi u miratua propozimi për heqjen e taksës së pastrimit që do të merrej për çdo tavolinë për subjektet: bar, kafe, restorante, fast-fund, kafe-internet e të tjera aktivitete të ngjashme me to. Ky vendim u mor me qëllim ekuilibrimin e ngarkesës së shtuar fiskale nëpërmjet aplikimit të tarifës së re për zënien e hapësirës publike.
Me anë të këtij vendimi u miratua edhe ndryshimi i ndarjes territoriale të zonave të qytetit të Tiranës për efekt të tarifës për zënien e hapësirave publike. Sipas këtij vendimi, bëhet e mundur ngushtimi i zonës A, ku aplikohen tarifat më të larta (1500 lek për m2) dhe kthimin e tyre në zona B, ku tarifa është sa gjysma e nivelit të zonës A (750 lek për m2). Ky vendim vjen në zbatim të marrëveshjes së arritur në tre takimet që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar më parë me përfaqësuesit e biznesit dhe synon aplikimin e tarifës në përputhje me zhvillimin ekonomik të zonës respektive dhe uljen e ngarkesës fiskale për bizneset që ushtrojnë aktivitet në zona me tregues ekonomik më të dobët.
Gjithashtu, pjesë e këtij vendimi ishte dhe pika që mundëson që për muajit Janar dhe Shkurt bizneset do të paguajnë me tarifat e vjetra. Lidhur me ndryshimet që prekin taksat dhe tarifat, gjatë paradites së sotme u mblodh edhe komisioni i Ekonomisë, i cili për më shumë se tre orë diskutoi për ndryshimet e miratuara.
Pjesë e vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak ishte edhe dhënia e ndihmës ekonomike për disa familje të qytetit të Tiranës për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë.
Më konkretisht Këshilli Bashkiak vendosi t’i akordojë ndihmë financiare për familjen Toska në vlerën e 542 mijë lekëve, për familjen e Dalipi 238 mijë lekë, për familjen Jahja 1483 mijë lekë, për familjen Mustafa Reçi 574 mijë lekë, dhe Riza Reçi me 1 milionë e 446 mijë lekë.
Këshilli Bashkiak miratoi me konsensus vendimin për vendosjen e bustit të Papa Françeskut në lulishten ku gjendet simboli i Kambanës së Paqes, pranë Piramidës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Gjithashtu, vendosi emërimin e një rruge në Tiranë me emrin e ish presidentit bullgar, Zhelju Zhelev, si dhe vendosjen e një pllakate përkujtimore për Janos Hunaidin në një prej shesheve të Tiranës.
Këshilli Bashkiak miratoi edhe Rregulloren e Financimit të projekteve kulturore, artistike, rinore dhe sportive në Bashkinë e Tiranës.
Për sa i përket ndryshimeve në sistemin e taksave vendore, Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, tha se administrata e bashkisë ka pasur një sërë takimesh dhe negociatash me përfaqësues të biznesit, dhe i propozon këshillit disa ndryshime për të lehtësuar ngarkesën e tyre fiskale.
“Do të shfuqizohet tarifa e pastrimit për vendosjen e tavolinave në hapësira publike për subjektet bar, restorant, kafe, fastfood etj,. Niveli i kësaj tarife është aktualisht 2500 lekë për çdo tavolinë në muaj. Shfuqizimi i kësaj nënkategorie brenda tarifës së pastrimit do të sjellë ulje të ngarkesës fiskale të bizneseve. Pra një biznes me 10 tavolina, detyrimi do të ishte 25 mijë lekë ulje në muaj ose 300 mijë lekë ulje në një vit. Nivelet e tjera të tarifës së pastrimit mbeten të pandryshuara”, u shpreh Paskali.
Më tej, ajo bëri të ditur se për tarifat për zënien e hapësirave publike, do të ketë një rizonim i cili në këtë rast mundëson ngushtimin e zonës A, ku aplikohen tarifat më të larta dhe kthimin e tyre në zona B, ku tarifa është gjysma e nivelit të zonës A.
“Gjithashtu për arsye se detyrimet për muajt janar dhe shkurt 2016 në lidhje tarifën për zënin e hapësirës publike janë njoftuar së bashku dhe i krijojnë një ngarkesë të lartë fiskale, Bashkia mori në konsideratë kërkesën e bizneseve për të mos i aplikuar tarifat e reja deri në 1 mars 2016 dhe të vijojë me nivelet e mëparshme vetëm në këtë periudhë”, përfundoi Paskali.
Ora 20:15 Neranxi: Në 6-muaj të gjitha bizneset drejt falimentimit
“Me këto forma që ndjekin drejtuesit e pushtetit vendor, i gjithë biznesi shqiptar do të shkojë në kolaps. Në fund të 6 mujorit shqiptar, të gjitha bizneset do të jenë drejt falimentimi”. Kështu u shpreh kryetari i Shoqatës së Biznesit dhe Mbrojtjes së Tregtarëve, Nikollaq Neranxi, gjatë një prononcimi për Report Tv. Ai akuzoi Bashkinë e Tiranës, se nuk përfill interesat e biznesit të kryeqytetit.
Z.Neranxi, cilat do të jenë qëndrimet që do të ndjekë biznesi i kryeqytetit në lidhje me hapat e tjerë pas vendimeve të sotme të Këshillit Bashkiak?
Siç e ndoqët, situata është shumë e rëndë. Marrëdhëniet e drejtuesve të pushtetit vendor me grupet e interesit, janë në nivele jo të mira. Nuk na përfillin dhe me një përbuzje shumë të madhe na fyen, duke mos na lejuar, sipas ligjit, që të merrnim pjesë në mbledhje për të debatuar mbi sistemin e taksave. Nuk ka lejuan me forcë. Ne ju falenderojmë për mundësinë që na jepni përmes medias, i bëj thirrje biznesit të Tiranës se vetëm me forcë do të kërkojmë të drejtat tona, se këta nuk na i japin.
Me këto forma që ndjekin drejtuesit e pushtetit vendor, i gjithë biznesi shqiptar do të shkojë në kolaps. Në fund të 6 mujorit shqiptar, të gjitha bizneset do të jenë drejt falimentimi.
Çfarë e rëndon biznesin shqiptar aktualisht?
Ajo që ne kishim rënë dakord me drejtuesit e pushtetit vendor ishin 7 taksa. Ajo e ndërtesës, truallit, tabelës, infrastrukturës arsimore, hapësirës publike, pastrimit dhe taksa e tavolinës në hapësirat publike.
20: 15 Rrokaj: Bashkia të dialogojë me biznesin
Ndërsa këshilltari i LSI, Shezai Rrokaj duke e konsideruar biznesin si një partner të zhvillimit të qytetit tha se pjesëmarrja e biznesit në mbledhje varet në bazë të depozitimit të kërkesës.
"LSI ka përkrahur një dialog me bashkinë sepse mendon që biznesi është partneri kryesor i zhvillimit të qytetit, ka inkurajuar në cdo hap mbështetjen e biznesit. Ka kërkuar që në këtë dialog palët të dëgjohen sepse demokracia ndërtohet ndërmjet dialogut, duke përkrahur biznesin por duke përfaqësuar në mënyrë të ndershme qytetarët për të qenë këtu. Përsa i përket pjesëmarrjes së biznesit në sallë kemi kërkuar të respektohet rregullorja e bashkisë, e cila i konsideron mbledhjet të hapura, por natyrisht mbi bazën e depozitimit të kërkesës. Nëse është depozituar kërkesa LSI ka qenë që të zbatohet rregullorja e bashkisë për pjesëmarrjen e grupeve të biznesit. Taksat e biznesit duhet të ndërtohen mbi bazë të një dialogu që nga njëra anë mbron interesin e qytetarëve nga ana tjetër mbron interesat e biznesit, por edhe këto duke i parë si pjesë integrale të zhvillimit të Tiranës", u shpreh Rrokaj.
Ora 20: 00 Olli: Taksat të ulen me 30%, transparencë për liqenin
Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike në këshillin bashkiak të Tiranës ka paraqitur në mbledhjen e sotme një paketë propozimesh për uljen me 30% të taksave, heqjen e disa prej tyre dhe mbajtjen e taksave për hapësirat publike në nivelet e mëparshme.
Kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli, u shpreh se krahas amendamenteve për uljen e taksave, demokratët kërkojnë edhe transparencë për punimet e Bashkisë në parkun e liqenit.
“Paralelisht vijojmë të përsërisim kërkesën tonë që i është drejtuar edhe Veliajt për të bërë transparencën mbi ndërhyrjen e paligjshme në liqenin artificial të Tiranës si dhe një ndërhyrje aspak transparente përpara Galerisë së Arteve. Këto dy çështje të përfshihen në diskutim”, u shpreh Olli.
Ora 19:40 Ndërpritet mbledhja e Këshillit Bashkiak
Është ndërprerë mbledhja e Këshillit Bashkiak rreth orës 19:40. Përfaqësuesit e biznesit që kanë qëndruar jashtë Bashkisë së Tiranës prej disa orëve gjatë ditës së sotme, po tentojnë të hyjnë brenda për të diskutuar në lidhje me taksat.
Ora 18:30 Këshilli Bashkiak miraton vendosjen e bustit të Papa Françeskut
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar që në nisje të tij 3 pikat e para në rendin e ditës nder te cilat miraton vendosjen e bustit të Papa Françeskut në një nga mjediset në Tiranë.
Ndërsa është miratuar edhe emërtimi i një rruge në kryeqytet “Dr. Zhelju Zhilev”.
Ora 18:00 PD: Transparencë për këndin e lojërave tek liqeni
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashki që në nisje të këshillit kanë kërkuar transparencë për këndin e Lojrave tek liqeni Artificial dhe një ndërhyrje përpara Galerisë së Arteve.
Leonard Olli deklaroi në nisje të mbledhjes se: “Kërkesa e depozituar në këshillin bashkiak për të bërë transparencën mbi ndërhyrjen e paligjshme tek liqeni i Tiranës si dhe në hapësirën e gjelbër para Galerisë së Arteve. Këto dy çështje të përfshihen në diskutime”,- tha ai.
Ndërkohë që Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi ftoi këshilltarët t’i përmbahen rendit të ditës të komunikuar më herët.