MIRDITE- Një konflikt pronësie ka përfunduar me plagosjen e një 68-vjeçari në rrethin e Mirditës. Ngjarja është shënuar dje rreth orës 17:00 në fshatin Perlat, ku 68-vjeçari Gjergj Duka ka plagosur me një armë të ftohtë gërshërë, djalin e xhaxhait të tij Gjete Duka 65 vjeç, i cili ka marrë plagë kokë dhe shpatull ku pas ndihmës së parë të marrë në spitalin e Rrëshenit, është dërguar menjëherë në spitalin Ushtarak në Tiranë.
 
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes është bërë e ditur se 68-vjeçari Gjeto Duka ka shkuar për të sqaruar një konflikt pronësie në lidhje me një rrethim pranë banesës së tij, por pasi kanë debatuar autori e ka goditur me gërshërët me të cilët po krasiste disa pemë, duke i shkaktuar edhe plagë.
 
Djali i të plagosur i cili ka parë dhe ngjarjen ka ndërhyrë menjëherë duke e dërguar në spital të atin, ndërsa ka njoftuar edhe uniformat blu për ngjarjen e ndodhur.
 
Policia e Mirditës e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke arrestuar edhe autorin e ngjarjes, i cili ka pranuar edhe krimin e kryer.
 
Në deklarimet e dhëna në polici ai ka shfaqur pendesë për krimin e kryer duke deklaruar, se e ka bërë në debat e sipër.
 
Policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur, pasi autori kishte ndërtuar një mur rrethues, duke i ngushtuar rrugën djalit të xhaxhait, ndërsa ky i fundit kishte shkuar për të sqaruar problemin në fjalë.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)