E kthyer në shqetësim për lëvizjen e automjeteve, rruga e fshatit turistik Katund i VjetërMirditë po zgjerohet dhe rehabilitohet.

Projekti i hartuar nga bashkia është financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe, prej muajit nëntor të vitit që lamë pas, po punohet për realizimin e këtij investimi mjaft të rëndësishëm për zonën.

Krahas asfaltimit dhe zgjerimit të rrugës, është parashikuar edhe ndërtimi i korsisë së biçikletave dhe vendosja e ndriçimit.

“Ishte e pamundur kalueshmëria në të. U bë i mundur shtimi i kësaj rruge, jo vetëm për biçkletat se ai fond ishte shumë i vogël, por duke u mundësuar komplet asfaltimi i rrugës. Shpresojmë që me fjalën që na ka dhënë Mëlyshi, do të bëhet edhe pjesa tjetër”, tha kryeplaku Marjan Deda.

Kjo ndërhyrje është pritur mjaft mirë nga bizneset dhe banorët e zonës, pasi sipas tyre degradimi i infrastrukturës ishte kthyer në problem për këtë fshat turistik.

"Duke parë se turizmi po vjen gjithmonë e në rritje, ka qenë shumë e nevojshme sepse po të kërkojmë turizëm të qëndrueshëm është siguria mbi të gjitha. Shpeshherë siguria na përket edhe neve, shqetësoheshim për turistët, kur vinin sipër, vinin me makina të gërvishtura. Zgjerimi i jep një siguri më të mirë, shpresojmë mos ta marrim për pistë avionësh, por shpresojmë të vendoset siguria, të ketë kontrolle dhe mos të merret si rrugë e mirë vetëm për t’i dhënë gaz edhe për të ecur. Ndriçimi është shumë i rëndësishëm dhe korsia e biçikletave sepse shpeshherë turistët aplikojnë shumë çiklizmin, vijnë me biçikleta dhe një ndriçim me korsi biçikletash i jep edhe seriozitet fshatit për turizëm më të qëndrueshëm.”, tha Bajron Nikolli, operator turistik.

Zgjerimi i rrugës ka qenë shumë i nevojshëm sepse kjo rrugë është bërë para 17 vitgesh dhe s’është bërë asnjë lloj investimi në të nga momenti që është bërë. Këtu vijnë turistë, gjatë verës ka shumë të huaj që vijnë. Bllokohej kaq shumë sa këtu ndërhynte policia”, shprehet Artan Marku, operator turistik.

“Falënderojmë kryebashkiakun që paraqiti një projekt te Fondi i Zhvillimit. E bëri kryetari i bashkisë, Albert Mëlyshi. Kemi 12 vite që s’është bërë asnjë investim. Çdo rrugë është frymëmarrje. Rruga është kryesorja”, thotë banori Bardhok Pali.

Investimi në infrastrukturë dhe ndriçim, që po realizohet në fshatin Katund i Vjetër në Mirditë, kap vlerën e 17 milionë lekëve të reja. Krahas banorëve, përfitues janë edhe shumë biznese që shtrihen në këtë zonë, ku turizmi po njeh gjithnjë e më shumë zhvillim.