Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Mirditës pasditen e sotme, ku një djalosh 12-vjeçar ka mbetur i vrarë aksidentalisht nga vëllai i tij tre vite më i madh.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Petoq të Mirditës, rreth orës 18:00, ku dy vëllezërit, duke ruajtur bagëtitë në mal, dyshohet se kanë qenë duke luajtur me automatik, ku, sipas policisë, nga pakujdesia 15-vjeçari me inicialet E.T. ka qëlluar mbi të vëllanë me inicialet D.T duke e lënë atë të vdekur.

Trupi i pa jetë i të miturit është dërguar në morgun e spitalit për ekspertizën e plotë mjeko - ligjore.

Në vendngjarje policia ka sekuestruar armën automatik dhe dy gëzhoja, ndërsa babai i dy djemëve si dhe disa persona të tjerë, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mirditë, në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes. 

Njoftimi i plotë i policisë:

Mirditë 

Informacion paraprak 

Më datë 15.11.2017, rreth orës 18:00, në fshatin Petoq në Fan - Mirditë , dyshohet se 2 vëllezër të mitur, konkretisht shtetasit E.T. 15 vjeç dhe D.T. 12 vjeç, kanë qenë duke ruajtur bagëtitë në mal, dyshohet se duke luajtur me një armë zjarri automatik, shtetasi E.T. nga pakujdesia dyshohet se ka vrarë vëllain e tij shtetasin D.T. 

Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit për ekspertizën e plotë mjeko - ligjore. 

Arma e zjarrit automatik si dhe 2 gëzhoja të gjetura në vendngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. 

Shtetasi E.T., babai i tij, si dhe disa persona të tjerë, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mirditë, në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes. 

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com