TIRANË - Pierre Mirel, Drejtori i BE-së për Ballkanin, ka shprehur shqetësimin e tij për punën e disa bashkive në Shqipëri, të cilat kanë marrë rreth 50 milionë euro nga BE në formën e granteve dhe nuk kanë bërë aq sa duhet.

Z.Mirrel foli në një konferencë të organizuar në Ministrinë e Integrimit, në të cilën ishte i pranishëm, përveç ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi.

Lidhur me grantet e dhëna nga Bashkimi Europian, përfaqësuesi i BE-së nënvizoi se “ka vështirësi me zbatimin e disa projekteve, për të cilat BE ka investuar shuma parash dhe disa bashki nuk po bëjnë sa duhet për to, jo vetëm ministritë”.

“Në disa bashki kemi investuar rreth 50 milionë euro dhe ato nuk kanë bërë aq sa duhet", - theksoi ai duke nënvizuar nevojën e domosdoshme të një konsensusi të gjerë në vend ndërmjet partive të ndryshme për çështje që kanë të bëjnë me fondet dhe projektet e IPA-s.
"Ka 4 elementë të rëndësishëm për integrimin”, - tha Mirel. – “Konsensusi i gjerë në vend, që është i domosdoshëm, që do të thotë që të gjitha partitë duhet të jenë në gjendje të tejkalojnë vështirësitë që mendojnë se kanë për të miratuar legjislacionin e nevojshëm për të ecur para. Të merren përsipër reformat e guximshme sipas kritereve të aderimit, ne i kemi paraqitur këto në dokumentin strategjik se ka dy grupe çështjesh që krijojnë vështirësisë për aderimin, kriteret politike, liria e shprehjes, sundimi i ligjit dhe çështjet dypalëshe"

Ministrja e Integrimit, Bregu, në fjalën e saj hyrëse tha se “ajo ç’ka i ka mungur sot vendit nuk është vullneti i kësaj qeverie për reforma të sukseshme, por është ai i opozitës për të vendosur, axhendën kombëtare mbi të gjitha. Axhenda e integrimit kombëtar është përcjellë në dëshirën tonë dhe gjuhën e zyrtarëve të Brukselit se duhet të jetë një axhendë mbarëkombëtare dhe jo fatkeqësisht siç jemi dëshmitarë të tre viteve të fundit, të një axhende për interesa partiake, cinike dhe mediokre”.

Në përfundim, ministrja Bregu tha se "tani kemi mbërritur në fazën që do të diskutohet ne detaje paketa e re financiare e BE-së, “IPA 2014 -2020”, pasi ka përfunduar ajo 2007 -2013-ës. Në këtë periudhë të re pritet të ketë më shumë projekte, që do të përqëndrohen në disa fusha strategjike; ka një programim të përmirësuar përsa i përket fondeve të IPAs; kemi marrëveshje operacionale për të punuar më mirë për të gjitha projektet në fusha të ndryshme".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)