Mirjan Mustafaj është zgjedhur kryetar i Gjykatës Administrative Tiranë.

Mustafaj, ka lindur më 20 Qershor 1991. Ka kryer studimet Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në vitet 2009 - 2012, me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 2014 ka përfunduar shkëlqyeshëm studimet Master Shkencor në të Drejtën Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Pas përfundimit të studimeve, ka ushtruar profesionin e juristit në pozicione të ndryshme, duke u angazhuar, gjithashtu, në organizata dhe veprimtari me fokus mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në vitet 2016 - 2019 ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, duke u diplomuar me titullin “Magjistrat - Gjyqtar”. Gjatë kësaj periudhe ka qenë, gjithashtu, Anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Pas përfundimit të studimeve pranë Shkollës së Magjistraturës, në Janar 2020 u emërua Gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Shkodër.

Mustafaj ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e së drejtës administrative, civile, penale, etj.

Ndërkohë është autor dhe bashkëautor i disa artikujve dhe studimeve në lëmin e së drejtës, nga të cilat veçojmë: “Reforma në sistemin gjyqësor: Risitë që sollën amendamentet e fundit kushtetuese dhe paketa përkatëse ligjore lidhur me organizimin, përbërjen dhe funksionimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të analizuara këto në raport me organizimin, përbërjen dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, “Mirëbesimi në të drejtën kontraktore. Problematika të praktikës gjyqësore” dhe “Begatimi pa shkak në të drejtën administrative”.