TIRANE - Boldemec L.A, hormoni që përmban steroide të rrezikshme gjendet lehtësisht në listën e barnave veterinare. Nga një vëzhgim të bërë nga gazeta “Shqiptarja.com”, ky lloj hormoni që u injektohet kafshëve që ato të shtojnë në peshë, mund ta gjesh në çdo farmaci. Edhe pse ky hormon në shumë vende evropiane është i ndaluar ai në vendin tonë vazhdon të shitet, pa asnjë lloj “frike” dhe problemi nga veterinerët. Sipas veterinerëve Boldemec L.A është një hormon shumë i rrezikshëm, për organizmin e njeriut. “Ai duhet të injektohet te kafshët vetëm një herë gjatë gjithë jetëgjatësisë së tij. Dhe duhet të injektohet brenga 20 ditëve që nga momenti i lindje së kafshës” na tregon veterineri. Ai thotë se për të konsumuar mishin e kafshës që i është injektuar hormoni duhet të ketë kaluar gati një muaj nga bërja e saj.


 “Që mishi i kafshës që i është injektuar ky hormon të jetë i konsumueshëm, duhet të ketë kaluar minimumi  një muaj nga bërja e tij. Më pas është e lejueshme që kafsha të theret dhe të konsumohet” na thotë veterineri. Ai më tej na sqaron se shumë vetë nuk e respektojnë këtë rregull, prandaj është mirë që ky hormon mos të shitet. “Shumë fermerë dhe rritës të bagëtive nuk e respektojnë këtë rregull, ata e përdorin pa  kriter Boldemec L.A” thotë veterineri, i cili na sqaron nëse ai përdoret pa kriter mishi i kafshës bëhet i pakonsumueshëm dhe ka shumë efekte negative në organizmin e njeriut nëse konsumon mish me hormonin Boldemec L.A. Ndërsa një fermer nga zonat veriore të vendit na thotë, se e ka përdorur Boldemec L.A, pasi sipas tij kjo e bën vicin me të madh në trup dhe ai shton në peshë për pak kohë. “Po i kam bërë gjilpëra viçit, nga ato që e rrisin në peshë. Ja bëj zakonisht një muaj para se ta shes” na thotë fermeri. Ndërsa profesorë të huaj sqarojnë se të konsumosh mish të rritur me Boldenone mund të shkaktojë disa probleme e fatkeqësi shëndetësore.

 “Është kritike kur mishi i rritur me Boldenone konsumohet sidomos nga fëmijë të vegjël dhe bebe, nën efektin e steroideve”, thonë ekspertët. Doktor Saskia Sterk, një ekspert i steroideve në Institutin Rilikt në Holandë, konfirmon se konsumi i mishit të rritur me Boldenone dhe steroide të tjera, sidomos në popullatën vulnerabël, është i rrezikshëm. “ Kjo ka efekte për një kohë të gjatë në shëndetin e popullatës, si dhe për shëndetin e bagëtisë”, tha ekspertja. “Po ashtu, është një praktikë ekonomike e pandershme, kur ju krahasoni prodhimin e mishit te fermerët, të cilët nuk përdorin të tilla substanca”, përfundoi dr. Sterk.

(sg/shqiptarja.com)